• Ankesa

Rektori Tonin Gjuraj në AIDSSH Diskutim mbi një marrëveshje që u jep studentëve dhe pedagogëve akses në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

Tiranë, 3 qershor 2025 – Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, zhvilloi një takim zyrtar me kryetaren e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), znj. Gentiana Sula, dhe stafin e saj. Takimi u përqendrua në diskutimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, e cila synon të fuqizojë bashkëpunimin akademik e historik ndërmjet dy institucioneve.

Dokumenti i bashkëpunimit përshkruan një sërë angazhimesh konkrete që do të krijojnë mundësi të reja për studentët dhe pedagogët e Universitetit të Shkodrës, veçanërisht në FSHSH dhe FD.

Qasja në dokumente – Studentët dhe stafi pedagogjik do të kenë të drejtë të kërkojnë dhe përdorin dokumente nga arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit për qëllime studimore e shkencore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Mbështetje me ambiente – Autoriteti dhe Universiteti angazhohen të vënë në dispozicion ambientet e tyre për organizimin e veprimtarive të përbashkëta shkencore, kulturore dhe edukative.

Angazhimi i studentëve – Studentët do të përfshihen aktivisht në transkriptimin, analizimin dhe dokumentimin e dëshmive historike, si një formë e edukimit nëpërmjet kujtesës.

Temat e Masterit dhe Doktoratës – Nxiset përfshirja e temave që analizojnë periudhën e diktaturës, bazuar në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Asistencë teknike dhe akademike – Universiteti do të ofrojë mbështetje profesionale për nismat që burojnë nga bashkëpunimi me Autoritetin.

Koordinim dhe pjesëmarrje – Universiteti do të koordinojë pjesëmarrjen e studentëve dhe stafit në projektet e përbashkëta, duke nxitur përfshirjen aktive të komunitetit universitar.

Promovim dhe komunikim – Të dy institucionet angazhohen të promovojnë veprimtaritë e përbashkëta në media, rrjete sociale dhe kanale zyrtare.

Takimi vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një model i ri për ndërlidhjen mes kërkimit akademik, edukimit qytetar dhe dokumentimit të historisë së afërt të Shqipërisë. Marrëveshja pritet të nënshkruhet në muajt në vijim.