• Ankesa

Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dha një prononcim për mediat para mbledhjes së Senatit Akademik, duke ndarë disa nga zhvillimet dhe prioritetet më të rëndësishme të institucionit.

Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj, do të nderojë Universitetin me praninë e tij në kuadër të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në këtë ditë të shënuar, Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Qendra e Studimeve Albanologjike organizojnë simpoziumin shkencor me temë:

“Alfabeti që bashkon shqiptarët”

Presidenti do të marrë pjesë në aktivitet dhe do të vizitojë edhe Bibliotekën Shkencore të UNISHK.

Rektori Gjuraj njoftoi se 39 programe studimi të universitetit i nënshtrohen për herë të parë aplikimit për akreditim nga ASCAL, një proces vendimtar për garantimin e cilësisë akademike. Në veçanti, ai theksoi rëndësinë e programeve në gjuhën angleze, që kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërkombëtarizimin e universitetit.

Një pikë tjetër e rëndësishme e prononcimit ishte paraqitja e kërkesave të universitetit në seancën dëgjimore të Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportin në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me rritjen e grantit të mësimdhënies për vitin 2026.

Rektori riktheu gjithashtu në vëmendje kërkesën e vazhdueshme drejtuar Ministres së Arsimit dhe institucioneve qeveritare që UNISHK-ut t’i kalojë në pronësi një nga dy objektet: Senatoriumi ose Spitali Neopsikiatrik, për t’u integruar në infrastrukturën universitare.

Si alternativë, mbetet prioritet projekti i ndërtimit të një kampusi universitar modern, i domosdoshëm për zhvillimin afatgjatë të universitetit dhe studentëve.

Universitete si UNISHK mbeten qendra të identitetit, dijes dhe kulturës — dhe këto iniciativa e forcojnë edhe më shumë këtë rol.