• Ankesa

Rektori i UNISHK në Konferencën Teknike për shpalljen e Pellgut të Liqenit të Shkodrës si Rezervë Ndërkufitare të Biosferës

Rektori Gjuraj, mori pjesë sot në Konferencën Teknike të mbajtur në Shkodër, e cila kishte në fokus shqyrtimin e ecurisë së dosjes për shpalljen si Rezervë Ndërkufitare të Biosferës të Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës, një iniciativë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të ministrive të linjës nga të dy shtetet, autoritete të pushtetit vendor, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Komisioneve Kombëtare të UNESCO-s, si dhe ekspertë dhe studiues të fushës së mjedisit dhe biodiversitetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Gjuraj theksoi rëndësinë që ka zona e Liqenit të Shkodrës për komunitetin akademik të USH-së, duke e cilësuar si një laborator natyror kërkimi për studiuesit, veçanërisht për ata që merren me biodiversitetin, ekologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ai nënvizoi se larmia e madhe e botës së egër në këtë zonë, përfshi lloje të rralla dhe të mbrojtura, është një pasuri e çmuar që kërkon mbrojtje dhe përcjellje te brezat e ardhshëm.

Rektori Gjuraj shtoi se një aplikim i përbashkët Shqipëri–Mali i Zi në UNESCO, për shpalljen e kësaj zone si rezervë biosferë, riafirmon faktin se mbrojtja e mjedisit nuk njeh kufij. Ky status do të shërbejë si model për:

rritjen e standardeve të ruajtjes së natyrës;

promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në komunitetet përreth;

forcimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërkufitar.

Universiteti i Shkodrës mbetet i angazhuar në nisma të tilla që lidhin kërkimin shkencor me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë natyrore të rajonit.