• Ankesa

Rektori Gjuraj UNISHK, zgjedhja e parë për të rinjtë e Veriut dhe Verilindjes

Në një prononcim për shtyp, përpara mbledhjes së Senatit Akademik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Rektori Prof. Dr. Tonin Gjuraj theksoi rëndësinë e fushatës së promovimit të Universitetit në gjimnazet e Veriut dhe Verilindjes së vendit. Ai bëri me dije se janë ndërmarrë ture intensive informuese që kanë nisur nga Ulqini, Tuzi, Malësia e Madhe, Bajza, Miloti, Rubiku, Rrësheni, Kukësi, Hasi, Tropoja, si dhe në gjimnazet e qytetit të Shkodrës.

“Universiteti i Shkodrës duhet të jetë zgjedhja e parë për maturantët e këtij rajoni,” u shpreh Rektori Gjuraj, duke theksuar rëndësinë e njohjes së ofertës akademike, e cila përfshin programe studimi trevjeçare, si dhe dyvjeçare profesionale.

Ai shtoi se çdo mundësi duhet shfrytëzuar për ta përçuar këtë mesazh – që nga takimet e drejtpërdrejta me nxënës e prindër, deri tek përdorimi i mediave lokale në të gjithë zonën veriore e verilindore.

Një pikë tjetër me prioritet të lartë, sipas Rektorit, është bashkëpunimi ndërinstitucional me shoqërinë “Trajtimi i Studentëve” Sh.A., për ofrimin e një pakete të integruar të kushteve që u ofrohen studentëve, që përfshin konviktin, mensën dhe aksesin në bibliotekën e UNISHK, e cila ndodhet në të njëjtën zonë.

Në përmbyllje, ai ndali edhe te procesi i përgatitjes së një draft-VKM-je mbi partneritetet institucionale në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian. Sipas tij, është thelbësore që bashkitë dhe institucionet lokale të përfshijnë pedagogët e UNISHK në rolin e ekspertëve, duke kthyer universitetin në një promotor të dijes dhe zhvillimit rajonal.