Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nisi sot punimet Konferenca Ndërkombëtare me temë “Qasje ndërdisiplinore, sinergji dhe risi në shkencat humane dhe shoqërore”, që do të vijojë edhe nesër me sesione shkencore në Bibliotekën e Universitetit.
Në hapje të konferencës, Zv. Rektorja Eliana Laçej theksoi rëndësinë e kësaj nisme shkencore, duke e cilësuar qasjen ndërdisiplinore si një domosdoshmëri të kohës moderne dhe një urë bashkëpunimi mes disiplinave, institucioneve dhe kulturave.
Koordinatorja e konferencës, pedagogia Dhurata Hoxha, dhe moderatorja e seancës plenare, pedagogia Lindita Kazazi, drejtuan me profesionalizëm punimet e ditës së parë.
Konferenca organizohet nga Departamenti i Romanistikës FGJH, në bashkëpunim me Universitetin Haute Alsace (Francë), Ambasadën e Francës në Shqipëri, Agjencinë Universitare të Frankofonisë (AUF), Centro Interuniversitario di Studi sul Viaggio Adriatico (CISVA) dhe Fondacionin Art House.
Një falënderim i veçantë shkon për:
Ambasadën e Francës në Shqipëri, për mbështetjen e bashkëpunimeve universitare mes institucioneve të arsimit të lartë shqiptare dhe franceze, si dhe për programet e formimit në gjuhën frënge në Universitetin e Shkodrës;
Zyrën Kombëtare të Agjencisë Universitare të Frankofonisë në Shqipëri,
partnerët e tjerë ndërkombëtarë CISVA dhe Art House, për kontributin e tyre në ndërlidhjen e kulturës me kërkimin shkencor.
Në fjalët e saj, znj. Catherine Veber, këshilltare për bashkëpunim në Ambasadën Franceze, vlerësoi rolin e UNISHK në forcimin e marrëdhënieve akademike frankofone dhe në promovimin e gjuhës e kulturës franceze në Shqipëri.
Ndërsa Greta Thilloy, Zv. Dekane e Fakultetit të Gjuhëve dhe Shkencave Humane në Universitetin Haute Alsace, nënvizoi projektet e përbashkëta me UNISHK, ndër to iniciativën “Muzika për paqen”, që bashkon studentë nga të dy universitetet përmes artit dhe dialogut kulturor.
Disa studentë francezë, nën drejtimin e Pierre Thilloy, zhvilluan një performancë artistike që reflektoi vetë thelbin e kësaj qasjeje ndërdisiplinare — një ndërthurje e artit, muzikës dhe reflektimit akademik.
20–21 Tetor 2025
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
