Departamenti Psikologji – Punë Sociale organizoi më datë 11 dhe 12 shtator 2024, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, trajnimin me temë: “Puna në Grupe për Profesionistët e Shërbimeve Sociale”. Në këtë trajnim morën pjesë profesionistët e shërbimeve sociale të Bashkisë Shkodër, psikologë dhe punonjës socialë.
Trajnimi i akredituar me 4 kredite nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror (ASCK), Drejtoria e Edukimit në vazhdim, u ofrua pa pagesë për pjesëmarrësit.
Trajnimi është realizuar në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së “Askush të mos mbetet pas” (LNB2), mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga katër Agjenci të OKB-së: UNDP, UNFPA, UNICEF dhe UN WOMEN, në partneritet me Qeverinë Shqiptare, i cili synon fuqizimin e personave në nevojë në Shqipëri për të pasur akses dhe mundësi të barabarta në shërbime publike, për të pasur një zë në vendimmarrjet publike që ndikojnë në jetën e tyre, si dhe për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet dhe aktorët përgjegjës.
Fjala e hapjes u mbajt nga Prof. As. Dr. Visar Dizdari, i cili përshëndeti aktivitetin dhe uroi punime të mbara sesioneve të trajnimit. Trajnerët e këtij modul trajnimi ishin Prof. As. Dr Fatbardha Osmanaga dhe Dr. Brilanda Lumanaj.
Qëllimi kryesor i trajnimit ishte rritja e njohurive dhe kapaciteteve profesionale të psikologëve dhe punonjësve socialë për praktikën e punës me grupe. Trajnimi dyditor ishte i organizuar në tetë sesione duke përfshirë një gërshetim të modeleve teorike dhe praktike. Gjatë trajnimit u diskutuan çështje të lidhura me praktikën e punës në grup, elementët e vlerësimit dhe ndërhyrjeve tek anëtarët e grupeve të trajtimit gjatë fazës fillestare, të mesme dhe përfundimtare, strategjitë dhe dimensionet e dinamikave të dobishme gjatë punës në grup, efektivitetin e lidershipit, strategjitë për fuqizimin dhe përfshirjen e anëtarëve gjatë punës në grupet e trajtimit, eksplorimi i modelit të zgjidhjes së problemit në grupin e detyrave, duke përfshirë njohjen dhe aftësimin praktik të metodave të specializuara për punën me grupet e komunitetit.
Moduli i trajnimit u realizua nëpërmjet trajtimit të koncepteve teorike dhe aspekteve praktike, diskutimeve të rasteve, ndarjes së eksperiencave profesionale si dhe punës në grupe. Pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime konstruktive në secilin sesion të modulit dhe falenderuan organizatorët për ofrimin e këtij trajnimi. Në mbyllje të trajnimit u realizua testi i vlerësimit për pjesëmarrësit.
Organizatorët falenderojnë Drejtoreshën e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës, Znj. Alketa Bekteshi për mikpritjen dhe gadishmërinë për realizimin e aktivitetit.
I urojmë suksese profesionistëve pjesëmarrës në rrugëtimin e tyre profesional!