Promovojmë arritjet e studentëve përmes punës së tyre kërkimore

Sot, në sallën 308, në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, u organizua një orë e hapur me të ftuarën speciale, studenten Donalda Bashota, Masteri i shkencave në Psikologji Klinike, kursi i parë. Në këtë aktivitet, ajo prezantoi punimin shkencor me titull “Ndikimi i medias në standardet e bukurisë dhe në mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale të femrave”, vlerësuar me çmimin e dytë, nga 32 punime kërkimore, në Konkursin e Punimeve Kërkimore, Edicioni i katërt, me pjesëmarrjen e studentëve nga të gjitha universitetet shqiptare, organizuar nga Clean Score AADF.

Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte promovimi i punës kërkimore, iniciativave të studentëve dhe shërbeu si një model frymëzimi edhe për studentët e tjerë. Aktiviteteti u përshendet nga z. Hysmir Idrizi, Koordinator i Programit Clean Score për Universitetin e Shkodrës dhe pedagogia Dr. Adelina Kakija, udhëheqëse e punimit.

Ky aktivitet u organizua me iniciativën dhe moderimin e pedagoges Dr. Brilanda Lumanaj, nën kujdesin dhe mbështetjen e departamentit Psikologji-Punë Sociale. Pjesëmarrës ishin studentët e programeve të studimit të ofruara nga Departamenti Psikologji-Punë Sociale dhe pedagogë. Ato ndoqën me mjaft interes prezantimin dhe më pas vijuan me vlerësime, pyetje dhe diskutime të hapura lidhur me çështjen e trajtuar.

Departamenti Psikologji - Punë Sociale, gjen rastin të përgëzojë Donaldën për arritjen dhe i uron asaj suksese të mëtejshme në rrugëtimin akademik.