• Ankesa

Promovohet Bibliografia e Revistës “Cirka” (1936–1939) në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës

Në një atmosferë festive dhe plot emocione, u zhvillua sot ceremonia e promovimit të bibliografisë së revistës së përkohshme kulturore popullore “Cirka” (1936–1939), me autore znj. Olimpia Kakarriqi. Aktiviteti u mbajt në ambientet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi” , ku morën pjesë studiues, pedagogë, shkrimtarë, lexues dhe familjarë të botuesve të kësaj reviste historike.

Në fjalën e hapjes, drejtoresha e Bibliotekës, znj. Alketa Bekteshi, theksoi rolin e bibliotekës universitare si qendër informacioni dhe mbështetje për kërkimin shkencor. Ajo vlerësoi punën e znj. Kakarriqi për realizimin e një bibliografie retrospektive me vlera të mëdha për studiuesit dhe publikun, duke e cilësuar si vazhdim i denjë i traditës së studiuesit Willy Kamsi.

Studiuesi Gjovalin Çuni, drejtor i Bibliotekës “Zoja e Shkodrës” dhe redaktor i bibliografisë, foli mbi rolin e bibliografëve shkodranë në historinë e bibliografisë shqiptare.

Znj. Kakarriqi prezantoi përmbajtjen dhe rëndësinë e revistës “Cirka”, duke analizuar rubrikat letrare, kulturore, gjuhësore, etnografike dhe sportive . Ajo solli në vëmendje figurat e rëndësishme si Gjon Ujka dhe Cuk Simoni, që udhëhoqën këtë botim përparimtar në vitet 1936–1939 .

Zv. Rektorja Eliana Laçej përshëndeti aktivitetin, duke theksuar rëndësinë e botimeve të tilla për pasurimin e trashëgimisë shkencore dhe kulturore kombëtare.