Sot me 10 Dhjetor 2024, u mbajt takimi me temë Dita e doktorantit: Promovimi i territorit, garanci për një turizëm të qendrueshëm, në kuadër të projektit PLAKOD, në mjediset e Muzeut historik “Oso Kuka” në Shkodër, drejtuesin e të cilit, Z.Sokol Parmeza, e falenderojmë përzemërsisht,. Në fjalën e mirëseardhjes ai nënvizoi rolin pararojë që duhet të kenë institucionet në cdo sektor të zhvillimit, ekonomi, kulturë, turizëm, në fushën kërkimore.
Takimi kushtuar doktorantëve të programit doktoral në “Ekonomi e turizëm të qendrueshëm”, mirëpriti kordinatoren e këtij programi prof.dr.Arjeta Troshani, e cila theksoi rëndësinë e një programi të tillë për universitetin dhe rajonin tonë, sfidat me të cilat u përball hapja e këtij programi në koordimin me mjaft universitete partnere, shpalosi fushat kërkimore-shkencore, oportunitetet në zhvillimin e tij. Duke përfunduar ajo nënvizoi se adoptimi i qasjeve novatore dhe duke nxitur bashkëpunimin, universiteti mund të krijojë programe akademike me ndikim dhe të qëndrueshme.
Doktorantja Valjeta Gjylbegaj referoi mbi Trashëgimia kulturore dhe letërsia si perspektivë turistike. Ajo shpalosi objektivat dhe qëllimet e projektit të saj doktoral, mënyrën se si pasqyrohen elementet natyrore, kulturore, turistike dhe etnografike të qytetit të Shkodrës përmes teksteve letrare të disa autorëve të huaj, intineraret e mundshme turistike që mund të krijohen prej tyre, rezultatet e mundshme dhe risitë që ato sjellin.
Doktoranti tjetër Fatjon Mlloja referoi temën mbi arkitekturën vernakulare të Shkodrës. Ai solli në vëmendje numrin e lartë të monumenteve të kulturës në Shkdoër dhe mënyrën e kategorizimit të tyre. Pas një ekspozeje të shumë prej fotove të këtyre monumenteve ai u ndal në analizimin e banesës karakteristike shkodrne, mënyra e ndërtimit, funksionimi i hapsirave, puna për restaurimin e banesave origjinale dhe mirëmbajtjen e tyre, duke nënvizuar rëndësinë që ato paraqesin për atraksion turistik. Nxjerrja në pah e vlerave lokale është edhe qëllimi i studimeve të tyre, me qëllim që të minimizohet karakteri fragmentar i trashëgimisë sonë kulturore.
Në përfundim të takimit, moderuesja prof. Valjeta Gjylbegaj theksoi se me takimin e parë të doktorantëve, ndër dy të tilla që planifikon projekti, mbyllet edhe faza e parë e aktiviteteve, duke vijuar në janar me analizimin e gjendjes aktuale të promovimit aktual digjital të territorit dhe në punën në terren.