• Ankesa

Promovim libri në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Sot, në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua promovimi i librit:

“Përforcimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore si mjet për ripërtëritjen e zonave rurale”

(Enhancing cultural and natural heritage as a lever for the regeneration of rural areas)

me autorë: Antonio Lauria, Francesco Alberti, P. Matrarchi, G. Paolinelli, botuar nga FUP, Firenze, 2024.

Ky aktivitet akademik solli në vëmendje vlerat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore si shtyllë e zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale, përmes një diskutimi të pasur ndëruniversitar dhe ndërkombëtar.

Takimin e hapi me një përshëndetje Rektori Gjuraj, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare me universitete si ai i Firences në funksion të ripërtëritjes së zonave rurale në Shqipëri. Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te Thethi, si një model i gjallë i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, duke e përmendur si pjesë të programit shtetëror “Paketa e Maleve” — një ligj i ri për investime në zonat malore.

Me një ligjëratë të thelluar kontribuoi Prof. Ardian Ndreca nga PUU, Romë

Libri u prezantua nga bashkautori Prof. Antonio Lauria nga Universiteti i Firences

Reflektimet mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e veprës i solli Prof. Brisena Dema Kopliku, nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”

Në përfundim, autori Prof. Antonio Lauria i dhuroi disa kopje të librit Drejtoreshës së Bibliotekës Universitare, duke pasuruar fondin me literaturë bashkëkohore në fushën e zhvillimit rural dhe ruajtjes së trashëgimisë.

Rreth autorëve

Autorët e librit janë personalitete të njohura në fushën e arkitekturës, planifikimit urban dhe kërkimit shkencor.

Prof. Antonio Lauria është një figurë e spikatur në Universitetin e Firences, ku vepron si profesor i rregullt dhe udhëheqës shkencor në projekte që lidhin arkitekturën me aksesueshmërinë dhe zhvillimin teknologjik të hapësirës urbane. Ai drejton Florence Accessibility Lab dhe është kryeredaktor i serisë “Architecture book”.

Prof. Francesco Alberti, gjithashtu nga Universiteti i Firences, është një ekspert i planifikimit urban të qëndrueshëm dhe koordinator i njësisë kërkimore SUP&R (Sustainable Urban Projects & Research), duke kontribuar në projekte kërkimore e zhvillimore që lidhen me planifikimin rajonal dhe mjedisor.