Promovim i territorit; Shkodra dhe zonat përreth saj; modele dhe përvoja pozitive

Në mjesidet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, me datë 10.10.2024, u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë “Promovim i territorit; Shkodra dhe zonat përreth saj; modele dhe përvoja pozitive”.  

Të ftuarit në panel sollën një panoramë të përgjithshme të situatës aktuale të promovimit të territorit, me fokus specifikat e tij dhe strategjitë e marketingut territorial deri më tani të vëna në zbatim.  

Helidon Sokoli, arkeolog pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë  Kulturore Shkodër solli një prezantim figurativ të pozicionit territorial të Shkodrës, i parë në këndvështrim historik, shndërrimin e territorit gjatë shekujve, ndërtimin e qytetit të ri në pjesën veriperëndimore, pasurinë hidrike që favorizon zhvillimin e qendrueshëm bujqësor dhe ekonomik në përgjithësi. Falë kontributit të punës kërkimore të arkeologëve, e intensifikuar sidomos që nga pjesa e dytë e shek XX e në vazhdim, është zbuluar Shkodra antike e humbur nga vërshimet e ujrave, një lagje e tërë romake buzë Drinit e dëshmuar nga një mozaik i shek III-IV, zbulimet mesjetare të një misioni shqiptaro-polak gjatë viteve 2011-2017, është kuruar Xhamija e Plumbit,  si dhe eshte krijuar një imazh deskriptiv i qendrës administrative të Bushatlijve. Territori ndërujor e shtrin hartën e Shkodrës histotike e kulturore përtej kufijve të sotëm administrativë, me dinastinë e Balshajve që kryeqendër kishte Shkodrën,  dhe që financuan ngritjen e manastireve në shtrirjen territoriale mes Shkodrës e Malit të Zi. Përgjatë këtij territori ekzistojnë 32 site arkeologjike, manastire të kulteve të ndryshme që mund të lidhen njëri me tjetrin me harta, ture me biçikleta apo varka, lundrime mes fortifikimeve të ligurëve, duke mundësuar forma të reja të promovimit të territorit.  

Fiona Mali, arkitekte pranë “Commonsense Studio”, fituese e projektit për rivitalizimin e zonës Zdrale në Shkodër, theksoi rëndësinë që Bashkia Shkodër i ka dhënë nismave të 22 skuadrave të studentëve të arkitekturës, ekonomisë e gjeografisë, për thithje idesh me qëllim evidentimin e disa fshatrave për promovim turistik. Informacioni që mblodhën nga fshatra të pashkelur më parë solli një seri botimesh për njohjen e qytetit të Shkodrës. Falë bashkëpunimit me Bashkinë për integrimin e territorit u paraqitën tre projekte, intinerar çiklistik nga derdhja e Bunës në liqenin e Shkodrës, menaxhimi i rezervatit të liqenit të Shkodrës, rëndësia e informimit për çiklistikën në nivel ekologjik, që synojnë tërheqjen e një kategorie të caktuar turistësh. Së fundi, projekti për rivitalizimin urban të zonës Gjuhadol, rruga 13 Dhjetori, Pazari i Zdrales, për t’u implementuar së shpejti, të gjitha me synimin e rivitalizimit të plotë, gjithëditor të këtyre territoreve.  

 

Dritan Rrustja, studiues e pedagog pranë Departamentit të Gjeografisë, Universiteti i Shkodrës, guidë e liçensuar turistike, i cili theksoi rëndësinë e guidave si ambasadorë të territorit, konsideruar rëndësinë fizike, natyrore dhe humane të tij. Ai solli përvojën e tij si guidë turistike në disa gjuhë, intinerarin që ndjek, përçimin e informacionit të përgjithshëm me theks tek diversiteti natyror, kulturor, fetar e gjuhësor, gastronomik, bujqësor i vendit, historia e zonës në rrafsh diakronik. Nga refleksionet e tij si guidë turistike theksoi rëndësinë që marrin qendrat e agroturizmit për promovimin e territorit.  

Esmeralda Kromidha, Dekane e FGJH-së, Universiteti i Tiranës, hartuese dhe zbatuese e një sërë projektesh në dobi të promovimit territorial nga të cilët veçoi dhe prezantoi shkurtimish punën kërkimore 2 vjeçare në kuadër të projektit “Vlerësimi i Trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale – mjetet gjuhësore dhe strategjitë e komunikimit”. Panelistja vuri theksin në rolin e qenësishëm të gjuhës në promovimin e territorit drejt turizmit potencial duke bazuar arsyetimin e saj në raportin që krijon territori me komunitetin, me aktorët e ndryshëm që e promovojnë atë si edhe me mënyrën e procesit të promovimit të territorit. Binom i pandashëm strategjik është raporti interes turistik-promovim. Mbi strategjitë e komunikimit, përfshirë këtu edhe komunikimin territorial, ekspertë të fushës janë individë të formuar në lëmën e gjuhësisë, që konsiderojnë vlerën e informacionit për t’u komunikuar, tipologjinë dhe masën, papërsëritshmërinë e tij. Teksti gjuhësor ka rëndësi për tërheqjen e vëmendjes, veçanarisht me dy elemente, me korpusin e komunikimit turistik dhe me imazhin e synuar. Statistikat e sjella lidhur me interesat e turistëve të huaj, pritshmëritë tona dhe perceptimet e turistëve, për periudhën 2018-2020, dëshmojnë jo vetëm për gjendjen aktuale të turizmit, por edhe projektojnë hapat zhvillimore të mëtejshme të tij. Prof. Kromidha nënvizoi faktin se ka pak platforma digjitale në gjuhë të huaja, përveçse në anglisht. 

Moderuesja e tryezës së rrumbullakët Dr. Lindita Kazazi, Drejtuese e Njësisë bazë Romanistikë, fitues i projektit PLACOD, duke falenderuar të ftuarit për ndërhyrjet tejet interesante, evidentoi sinergjinë që patën mendimet e tyre me pritshmëritë e projektit që synon hartimin e një platforme digjitale në gjuhë të huaja (frengjisht, italisht, anglisht, malaziase, shqip) për promovimin e territorit.