Sot, më 1 dhjetor 2023, në kuadër të 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar, projekti IDEA “Inclusive tertiary Education in the Western Balkans” u prezantua një risi teknologjike për studentët me aftësi të kufizuara dhe vështirësi në të nxënë. Te Biblioteka Shkencore e Universitetit "Luigj Gurakuqi" Shkoder u hap Laboratori Gjithëpërfshirës.
Universiteti i Shkodrës është një nga 10 universitetet përfituese të këtij projekti që realizohet në 3 shtete: Shqipëri, Kosove e Mali i Zi, mbështetur dhe financuar nga Komuniteti Europian dhe kurorëzimi i kësaj pune është hapja e një laboratori me paisje teknologjike për personat me aftësi ndryshe.
Aktiviteti u përshëndet nga koordinatorja e këtij projekti Dr.Rina Muka, e cila prezantoi finalizimin e projektit trevjeçar, pas disa trajnimeve dhe përvojave të tre universiteteve europiane, partnerë të projektit IDEA dhe produkti i tij, Laboratori Gjithëpërfshirës.
Në kuadër të këtij promovimi, studentët e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Shkencave të Natyrës dhe Drejtësisë sollën në ambjentet e Bibliotekës së Universitetiti reflektime kundër stigmës dhe diskriminimit të aftësisë së kufizuar përmes një programi sensibilizues me titull “Përmes krijimtarisë, kundër stigmës”.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit vizituan Laboratorin Gjithëpërfshirës dhe panë nga afër paisjet e instaluara për studentët me aftësi të kufizuar dhe vështirësi në të nxënë, të cilat do të jenë në shërbim jo vetëm të studentëve, por edhe të stafit akademik dhe komunitetit për një gjithëpërfshirje dinjitoze.