Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) dhe Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (PNUD), nisën në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, një program të ri në mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë takim ishin të pranishëm, Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Suzana Golemi, zv. Rektorja për Marrëdhëniet me Jashtë prof. dr. Rajmonda Këçira, Drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore znj. Gerta Lubonja dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it në Shqipëri znj. Monica Merino, si dhe studentë të Universitetit të Shkodrës.
Përmbushja e qëllimit në këtë takim konsistonte në sfidën për mbrojtjen e mjedisit dhe veçanërisht të lumit Drin nëpërmjet sfidës së Novacionit për Drinin.
Prof .dr. Suzana Golemi, në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi dy organizmat (PNUD dhe AMBU), për iniciativën e ndërmarrë për zhvillimin e qëndrueshëm të Basenit të Drinit, dhe synimin për zhvillimin e ideve të reja dhe zgjidhjen e problematikave në lidhje me ndotjen, përmbytjen, si dhe problemet ekonomike e sociale.
Rektorja e Universitetit ndër tjera u shpreh e gatshme dhe mirënjohëse për përfshirjen e studentëve të Universitetit të Shkodrës, që me idetë e tyre inovative të studiojnë potencialet natyrore dhe problematikat mjedisore në Rajon, të cilat jo vetëm mund të zbatohen po dhe të jenë zgjidhje drejt zhvillimit të qëndrueshëm për arritjen e objektivave të 2030.
Monica Merino përfaqësuesja e PNUD-it në Shqipëri në fjalën e saj, u shpreh entuziaste për këtë nismë në mbrojtjen e planetit. Ndër të tjera Monica Merini u shpreh e sigurt se nga ky grup dinamik do të dalin ide të mëdha. Askush më mirë se këto studentë të këtij Universiteti, mund të ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit të Drinit. T’i shërbejmë natyrës, ta ruajmë dhe ta mbrojmë është detyrë morale e secilit.
Për Universitetin, studentët dhe qytetin tonë, nisja e këtij programi është një sfidë në shërbim të qytetit.