• Ankesa

Pritje e përzemërt në Rektorat për ekipin fitues të UNI Debate

Pas suksesit të arritur në garën kombëtare UNI Debate, ku Universiteti “Luigj Gurakuqi” u rendit në vendin e 3-të dhe Gentiana Probibaj, studente e Fakultetit Ekonomik, u shpall “Debatuesja më e mirë” e edicionit, Rektori Gjuraj priti sot në zyrë ekipin përfaqësues të studentëve.

Gjatë pritjes, Rektori përgëzoi studentet për nivelin e lartë të përfaqësimit, argumentimin e strukturuar dhe komunikimin dinjitoz që kanë dëshmuar në këtë garë. Ai theksoi se kjo arritje është jo vetëm një sukses personal, por një vlerë që ndërton profilin akademik dhe qytetar të Universitetit të Shkodrës.

“Ju nuk keni qenë thjesht pjesëmarrës në një garë debati. Ju jeni bërë zëri i Universitetit tonë — një zë i mendimit të lirë, i guximit intelektual dhe i përgjegjësisë qytetare. Këtë frymë duhet ta përcjellim me krenari te çdo maturant, me mesazhin e qartë: UNISHK – zgjedhja e parë!”, – u shpreh Rektori Gjuraj.

Në këtë takim u nënvizua rëndësia që iniciativa si UNI Debate kanë për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve, duke i fuqizuar ata si liderë të mendimit kritik, dialogut dhe bashkëpunimit ndëruniversitar.

Studentët pjesëmarrës përfaqësuan denjësisht UNISHK dhe treguan se debati nuk është thjesht një përballje idesh, por një udhë për ndërtimin e qytetarisë aktive dhe mendimit të pavarur.

Ekipi përfaqësues i Universitetit të Shkodrës përbëhej nga studentet: Denisë Çezma, Donatilda Lumi, Gentiana Probibaj dhe Anita Probibaj — e cila aktualisht është nxënëse e shkollës “Jordan Misja” dhe ka zgjedhur të ndjekë studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Një shembull frymëzues për bashkëmoshatarët e saj dhe një dëshmi e besimit të të rinjve ndaj cilësisë së arsimit në UNISHK.

Urime ekipit tonë për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz në emër të Universitetit të Shkodrës!