Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua prezantimi i librit:
“L’uomo che non doveva mai morire – L’Albania e il regime di Enver Hoxha”
Autor: Giovanni Verga
Parathënie nga Carlo Bollino
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Albania Letteraria dhe Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, duke sjellë një reflektim të thellë mbi realitetin e Shqipërisë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, përmes syve të një autori të huaj me përvojë të gjerë në Ballkan.
Rektori i Universitetit përshëndeti takimin, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe fuqinë e dialogut ndërkulturor në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme.
Pedagogia Nertila Ljarja realizoi një analizë të thelluar të librit, duke nxjerrë në pah vlerat dokumentare dhe letrare që e bëjnë këtë botim një kontribut të rëndësishëm për studimet historike dhe politike.
Anna Lattanzi, kryeredaktore e Albania Letteraria, moderoi me profesionalizëm diskutimin, duke udhëhequr debatin mes të pranishmëve dhe duke theksuar rolin e letërsisë si një formë e fuqishme e dëshmisë historike.
Takimi u përshëndet edhe nga anëtarë të Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, të cilët ndanë reflektime prekëse mbi përjetimet e tyre personale dhe rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën.
UNISHK është gjithmonë një derë e hapur për aktivitete në shërbim të komunitetit, duke promovuar kulturën, historinë, artin dhe shkëmbimet ndërkulturore, në funksion të formimit akademik dhe qytetar të studentëve tanë.