Poezia e Ndre Mjedës përmes një montazhi poetik filmik të përgatitur nga studentët e programit të studimit Master Profesional në Mësuesi në Gjuhë-letërsi.
Në mbyllje të semestrit të parë të vitit akademik 2022-2023, një grup studentësh të vitit të parë në Master Profesional në mësuesi në Gjuhë- letërsi, zhvilluan më datën 10. 02. 2023 një orë mësimi interaktive përmes emocionit që sjell poezia e Ndre Mjedës, e interpretuar prej tyre, brenda një formati montazhi poetik filmik.
Kjo detyrë kursi e ideuar nga pedagogu i lëndës, dr. Gëzim Puka, do të nxiste fantazinë e studentëve për të përcjellë me shumë ëmbëlsi vargjet lirike të Mjedës. Studentët, përveç aspektit kreativ, do të ndanin përmes kësaj përvoje edhe anën e mirë të punës në grup, si dhe do të zhvillonin me sukses kompetencën e leximit shprehës, aq e nevojshme për mësimdhënien e letërsisë.
Mësuesit e ardhshëm provuan kështu të ndërtojnë vetë një punë artistike, që do t'i shërbejë si model në mësimdhënie, si dhe në projekte të ngjashme, që mund të organizojnë me nxënësit. Në këtë orë mësimi të veçantë spikatën studentët: Klevisa Bardeli, Laureta Bruka, Laura Kasteri, Deada Smajlaj, Elsaida Zhejani, Rea Selimi, Edon Bushaj, Jesmina Isufi, Brisilda Facaj. Veprimtaria u ndoq me interes edhe prej studentëve të tjerë dhe pedagogëve te këtij programi studimi.