Aktivitete të Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në kuadrin e “Muajit të letërsisë”
Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përveç aktivitetit akademik në auditor i kushton rëndësi edhe takimeve periodike me shkrimtarë të afirmuar dhe të rinj. Në këto takime përfshihen studentë të degëve Gjuhë-letërsi dhe Gazetari-komunikim si dhe pedagogë të letërsisë, të njohur si studiues dhe kritikë letrarë. Gjatë muajit nëntor u organizuan tre takime dhe diskutime për romanet e prozatores Eralda Baze, poezitë e Loreta Shcillock, romanet e Agim Gjakovës.
Në vijim të aktiviteteve për “Muajin e letërsisë” poetja Loreta Schillock u takua më datë 20 nëntor 2023 me studentët e degëve Gjuhë-letërsi dhe Gazetari-komunikim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” . Takimi u zhvillua në mjediset e Bibliotekës Shkencore të këtij universiteti. Moderatori i takimit prof.as.dr. Arben Prendi, drejtor i departamentit të Letërsisë, prezantoi autoren dhe vëllimin e saj poetik “Shtegtim vargjesh”. Ai vlerësoi se këto takime janë një mundësi e mirë për studentët që të njihen me vepra dhe autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe bashkëkohore, si dhe të nxiten që edhe ata të marrin kurajo për të publikuar krijimet e tyre letrare.
Autorja Loreta Schilock shprehu kënaqësinë e saj që librin e saj të parë me poezi e promovon në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” para studentëve, që janë edhe lexuesit më të mundshëm të poezisë. Për vlerat artistike të këtij vëllimi diskutuan Edon Bushaj, student i masterit profesional në Gjuhë-Letërsi dhe Arben Prendi, drejtor i departamentit të Letërsisë.
Poetja Rozafa Shpuza përmes një bashkëbisedimi me autoren, veçoi edhe kontributin e saj si përkthyese e letërsisë nga gjermanishtja në shqip dhe anasjelltas si dhe përvojën e saj si docente në Universitetin e Shtutgartit.
U lexuan me këtë rast disa poezi të autores nga Aleksandër Prenga, student i baçelorit në Gjuhë-Letërsi, Xhuljana Guri, studente e baçelorit në Gjuhë-Letërsi dhe Arjola Zadrima, studente e baçelorit në Gazetari-Komunikim. Gjithashtu, poezi u lexuan edhe nga Nikolin Ferketa, aktor i Teatrit “Migjeni”.