• Ankesa

Platformat digjitale që promovojnë turizmin, Vlerësimi i situatës aktuale

Në mjediset e Rektoratit të USH-së “Luigj Gurakuqi” u mbajt sot takimi Platformat digjitale që promovojnë turizmin. Vlerësimi i situatës aktuale, në kuadër të projektit PLACOD. Takimi i konceptuar në formën e tryezës së rrumbullakët çeli fazën e dytë të veprimtarive “Promovimi i territorit në epokën digjitale”. Nën moderimin e prof.as.Eliana Laçej, e cila nënvizoi rëndësinë e padiskutueshme që ka marrë teknologjia në ditët e sotme, panelistët sollën mendime, reflektime e përvoja institucionale e personale lidhur me argumentin.

 

Prof.as.Valbona Karakaçi, Departamenti i Letërsisë, USH, eksperte në fushën e komunikimit,  trajtoi çështje lidhur me turizmin dhe rolin transformues të komunikimit digjital. Ndërhyrja e saj u fokusua në analizën e raportit turizëm e komunikim digjital, duke cilësuar anët pozitive dhe negative; në mbivendosjen teknologji-komunikim; në mënyrën e të qenit efikas në komunikimin digjital; në të ardhmen e komunikimit digjital në sferën e turizmit. Reflektimet e saj u shoqëruan me video e materiale digjitale, me statistika të detajuara të përdoruesve të mediave sociale në Shqipëri, duke e klasifikuar këtë të fundit në avangardë të përdorimit digjital.

 

Renato Lumçi, Drejtoria e Turizmit, Bashkia Shkodër, prezantoi “Shkodra Smart Tourism”, një platformë moderne digjitale, me info të larmishme mbi destinacione, bujtina, biznese, sherbime sociale. Website www.visitshkodra.al do të ofrojë mundësi për bileta online për Muzeume dhe jo vetem, për organizime të paketave turistike individuale, për promovimin e eventeve lokale, pajisjen me kartë CityPASS, që mbetet edhe sfida më e madhe në realizimin e kësaj platforme. Promovime të tilla digjitale e bëjnë Shkodrën një destinacion modern dhe përmirësojnë infrastrukturën lokale.

 

Prof.as.Bresena Kopliku, drejtuese e Drejtorisë së Komunikimit, Kërkimit Shkencor dhe Projekteve, USH, në trajtesën “Transformimi digjital dhe eksperiencat turistike” nënvizoi se digjitalizimi ka ndryshuar turizmin, ka kapërcyer turizmin sezonal duke zgjeruar brezin kohor, po ashtu prejardhjen gjeografike të turistëve, ka dhënë efekte në tregun e punës. Referuar anketimeve të turistëve, panelistja theksoi se tipologjia e turistit në Shkodër është e veçantë krahasuar me atë të turistit në Shqipëri për arsyet se në përgjithësi janë udhëtarë të vetmuar (jo në grup), moshë e re që pëlqen turizmin e aventurës, përdorues të mjeteve digjitale, eksperimentues autentikë, të informuar për turizmin në Shkodër përmes rrjeteve sociale, sidomos tiktok, dhe që e zgjedhin Shkodrën destinacion si pjesë të rajonit, cfare përbën edhe një qendrueshmëri për turizmin, megjithëse me të ardhura jo të larta. Megjithë rritjen e përdorimit të teknologjisë, infrastruktura digjitale është akoma e mangët, çfarë e nxit inovacionin në këtë drejtim.

 

Elton Shpuza, specialist IT në USH, menaxhues i platformës “Xhiro n’Shkodër”, informoi mbi përmbajtjen e saj në katër gjuhë (anglisht, spanjisht, italisht, gjermanish, së shpejti në frengjisht). Ajo shërben të dhëna mbi transportin, urban, ndërurban, lokal, informacion mbi muzeumet e monumentet, mundëson shërbime për vizitorë me paketë individuale turistike, që nga transporti e akomodimi, përmes palëve të treta. Gjithashtu përmes kësaj platforme informohen turistët për format e rezervimit pranë strukturave hoteliere. Platforma ka arritur të kuotohet deri në 1500 klikime në ditë në pikun e sezonit turistik, duke u shfaqur mes rezultateve të para të kërkimi në Google me fjalë kyçe të ndryshme.

 

Mendimet e vyera të shpalosura nga pjesmarrësit në tryezë i shërbejnë edhe qëllimit të projektit PLACOD, që synon të evidentojë intineraret plot befasi të udhëtarëve të dikurshëm, të përjetësuara në libra kujtimesh e mbresash për t’i sjellë më pas në formë të digjitalizuar, siç e kërkon era e re e globalizmit.