Në sajë të bashkëpunimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me Universitetin e Haute-Alsace në Mulhouse, Francë, u bë e mundur pjesëmarrja e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me tematikë shumë origjinale: "Sorcières - les femmes à travers l'histoire de l'humanité" (Shtrigat – gratë e lira përmes historisë së njerëzimit).
Konferenca u zhvillua më datë 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2022 në Universitetin e Haute-Alsace në Mulhouse, Francë. Ky aktivitet shkencor ndërdisiplinor ishte organizuar nga Instituti i Kërkimit dhe Letërsisë Evropiane të Universitetit të Haute-Alsace dhe partnerë të tjerë, si: Universiteti i Strasburgut, Universiteti i Luksemburgut, Universiteti i Sasarit etj.
Përgjatë këtyre dy ditëve u paraqit shoqëria përballë dogmave, parë prej këndvështrimit të miteve, të shtrigave e qenieve fantastike femërore, që prej antikitetit deri në ditët tona. Diskutimet kishin qasje letrare, gjuhësore, filozofike, artistike, historike, mediatike e sociale. Së bashku me pjesëmarrjen e ligjëruesve nga disa universitete prestigjioze franceze, spanjolle, gjermane, polake etj, ra në sy edhe pjesëmarrja e dy pedagogëve të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Dr. Gëzim Puka i Departamentit të Letërsisë dhe prof. as. dr. Dhurata Hoxha e Departamentit të Romanistikës. Ata u paraqitën me kumtesën: "Gjurmë mitike femërore në disa tekste të letërsisë shqipe". Përmes kësaj ligjërate u interpretua rrugëtimi i këtyre personazheve nga folklori drejt letërsisë së kultivuar. U analizuan nga ana përmbajtjesore e stilistike figurat e zanave të malit dhe grave të murosura. Kumtesa zgjoi interesin e pjesëmarrësve dhe u përcoll me pyetje dhe komente, që shprehnin interesin për letërsinë dhe kulturën shqiptare.