Në kuadër të ditës Evropiane të Gjuhëve, Departamenti i Romanistikës organizon seminarin me temë: Perspektivat e punësimit të studentëve përmes gjuhëve të huaja.
Duke iu uruar mirëseardhjen të ftuarve, Dhurata Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mjedisit universitar me botën e biznesit, si dhe rëndësinë e këtyre seminareve për bashkërendimin e punës dhe vendosjen e kontakteve mes këtyre aktorëve.
Besara Podgorica theksoi se rritja e numrit të turistëve falë burimeve turistike që ofron qyteti i Shkodrës dhe kryesisht rritja e numrit të turistëve francezë me rreth 40% ka rritur edhe nevojën për udhërrëfyes të specializuar, që ofrojnë shërbim në gjuhën frënge.
Nisur nga përvoja e këtij viti ku pati një numër të madh të turistëve në vend, Stefan Dhimitri theksoi faktin se studentët gjenden para mundësive të reja në përzgjedhjen e këtyre profesioneve që lidhen me turizmin. Ai iu drejtua studentëve të jenë të përgatitur për këtë treg punësimi në mënyrë që numri i turistëve të shkojë drejt rritjes së vazhdueshme. Gjithashtu, ai inkurajoi studentët që të paraqiten pranë agjensive turistike për të ofruar shërbimin si udhërrëfyes turistikë, sepse tani është momenti që Shqipëria të promovohet më fort se kurrë.
Greta Komur pohoi faktin se Universiteti i Shkodrës dhe ai i Haute Halsace Francë Francës kanë të përbashkëta vendodhjen gjeografike si dy qytete ndërkufitare dhe për këtë arsyë duhet përfituar nga ky realitet dhe përparësi për profesionalizimin e programeve të studimit si mundësi për një punësim të studentëve në tregun e sotëm të punës.
Tatiana Musinova paraqiti përvojën e universiteteve franceze në përpilimin e planeve të studimit, në përzgjedhjen e kurrikulave të ndryshme, nga fakultete apo programe të ndryshme studimi, për të ofruar specialistë në fushën e turizmit, përkthimit, të ndërkulturalitetit.
Mjedisi i gjuhëve të huaja të aplikuara nuk njeh kufij. Prandal del e nevojshme që universitetet të punojnë duke marrë parasysh nevojat e tregut.
Studentja Izabela Preka rrëfeu përvojën e saj si studente në programin e gjuhës frënge, si dhe përvojën e saj si përfituese e programeve të ndryshme nga AUF e më gjerë.
Diskutimet në sallë ishin të shumta në lidhje me temën dhe theksi u vendos në nevojën e domosdoshme dhe të menjëhershme që të ofrohen programe studimi të përbashkëta për të ofruar specialistët për të cilët ka nevojë tregu.