U zhvillua takimi i radhës i grupit të punës së projektit që po zbatohet nga Departamenti i së Drejtës Publike dhe Klinika e Ligjit në USH, titulluar “Përmirësimi i zbatimit të legjislacionit për ndihmën juridike falas, përmes angazhimit të stafit dhe studentëve të Fakultetit të Drejtësisë”, mbështetur financiarisht nga fondet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Projekti synon në:
1. Identifikimin e nivelit të njohjes dhe zbatimit të legjislacionit për ndihmën juridike parësore me fokus në shërbimet e ofruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
2. Rritjen e aftësive të studentëve të angazhuar pranë Klinikës së Ligjit në USH për të ofruar ndihmë ligjore parësore lidhur me shërbimet e monitoruara.
3. Ndërgjegjësimin e shoqërisë në përgjithësi dhe grupeve specifike lidhur me ndihmën juridike falas kategoritë përfituese dhe procedurat e përfitimit.
4. Rritjen e numrit të rasteve të ndihmës juridike parësore të ofruar nga Klinika e Ligjit në USH.
Objektivat synohet të përmbushen përmes një sërë aktivitetesh si: analiza e kuadrit të brendshëm ligjor lidhur me përfitimin nga ndihma juridike falas; realizimi i një pyetësori me qytetarët mbi nivelin e njohjes së këtij ligji, realizimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese (ditëve të hapura dhe leksioneve të hapura); krijimi dhe shpërndarja e materialeve informuese; realizimi i takimeve me nëpunës të pushtetit vendor etj..