Vijuan leksionet dhe diskutimet për menaxhimin e drejtë të trashëgimisë kulturore dhe veprave kryesisht arkeologjike. Vëzhgimi i drejtpërdrejtë i punës në laboratoret e restaurimit si dhe përdorimi i aparaturave dhe materialeve të ndryshme ndihmuan në zgjerimin e njohurive të specialistëve nga Universitetet shqiptare. U diskutua për ecurinë e restaurimit të disa objekteve arkeologjike në sitet shqiptare nga specialistët e shkollës së Galicias si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen për punë e projekte të përbashkëta! Jo vetëm punë në terren për ruajtje e restaurim, por edhe bashkëpunime për përgatitjen e specialistëve restaurues, vendosjen e procesit të diagnostikimit dhe restaurimit mbi baza tërësisht shkencore, janë synimet për të ardhmen dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit në kuadër të REACH. Aktivitetet e REACH do të vijojnë me organizimin e një shkolle verore për studentët evropianë e shqiptare të të gjitha Universiteteve partnere në tetor të këtij viti. Në këtë aktivitet Universiteti ynë është një nga partnerët organizorë. Studentët nga Europa e ata shqiptarë do të kenë mundësinë të vëzhgojnë e eksplorojnë shumë vepra të artit dhe objekte të trashëgimisë kulturore në Rajonin tonë.