Pedagogët e Fakultetit Ekonomik, Ylvije Kraja dhe Peter Saraçi morën pjesë në Takimin e Konsorciumit të Projektit SMART të mbajtur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Dresden. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar strategjitë e reja për zhvillimin e Qendrave të Inovacionit SMART, të cilat kanë për qëllim fuqizimin e universiteteve në Ballkanin Perëndimor përmes rritjes së kapaciteteve akademike dhe infrastrukturës.
Gjithashtu, ata morë pjesë edhe në Konferencën GeNeMe, një nga forumet kryesore për teknologjitë digjitale dhe menaxhimin e rrjeteve akademike. Në këtë kuadër, ata kontribuan në një panel publik diskutimi me temë: "Bashkëpunimi Evropian në Arsimin e Lartë me Ballkanin Perëndimor: Ndërtimi i Komuniteteve Akademike të Qëndrueshme." Ky diskutim solli në vëmendje sfidat dhe potencialin e bashkëpunimit evropian për krijimin e komuniteteve akademike inovative dhe të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah rolin që mund të luajë arsimi i lartë në zhvillimin e rajonit tonë.
Ky angazhim ndërkombëtar i Fakultetit Ekonomik është një dëshmi e përkushtimit tonë për të përmirësuar përvojat akademike të studentëve dhe stafit, duke ofruar mundësi për mobilitet akademik, shkëmbime ndërkombëtare dhe përfshirje në projekte që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive dhe mundësive të reja.
SMART Innovation Centres po ofron rrugë të reja për studentët dhe pedagogët tanë për të qenë pjesë e projekteve ndërkombëtare, që përmirësojnë cilësinë e arsimit dhe krijojnë lidhje të forta me universitete të njohura evropiane.