Ka përfunduar dje në Prishtinë, Panairi i Librit Akademik dhe Shkencor organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë si dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit. Takime, promovime titujsh, shkëmbime librash e mendimesh mes kolegësh, diskutime me publikun e interesuar. Në këto ditë u vu re një interes i shtuar për botimet e librit shkencor në shqip jo vetëm nga akademikët, por edhe nga publiku e media. Organizatorët e pjesëmarrësit vlerësuan aktivitetin jo vetëm si një pjesëmarrje për paraqitje botimesh por më së shumti si një mundësi takimi për të rritur bashkëpunimet në të ardhmen edhe në projekte, shkencë e kërkim shkencor.