• Ankesa

Në UNISHK u hap Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Treva e Veriut” – Në fokus kujtesa historike dhe trashëgimia kulturore

Më datat 30 dhe 31 maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, po zhvillohet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Treva e Veriut”, me temën:

“Visaret e traditave dhe kujtesa që ndriçon historinë”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike.

Kjo konferencë përbën një platformë të rëndësishme shkencore për të reflektuar mbi trashëgiminë kulturore, kujtesën kolektive dhe rolin e trevave veriore në historinë shqiptare. Ajo synon të evidentojë visaret shpirtërore dhe materiale që i japin formë identitetit tonë kombëtar dhe që mbeten baza për një qasje të re në studimet albanologjike.

Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse të drejtuesve institucionalë dhe studiuesve të ftuar nga trevat shqiptare dhe diaspora, si:

• Zamira Shkreli, drejtoreshë e Qendrës së Studimeve Albanologjike

• Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit të Shkodrës

• Kujtim Shala, studiues dhe shkrimtar nga Kosova

• Nail Draga, studiues nga Mali i Zi

Konferenca zhvillohet në katër seanca përgjatë dy ditëve, ku u trajtuan tema të lidhura me gjuhësinë, historinë, etnografinë, letërsinë dhe kujtesën kulturore të Veriut.

Seanca e katërt, me titull “Dita e Doktorantit”, sjell një risi në këtë konferencë, duke ofruar një hapësirë të dedikuar për doktorandët. Kjo nismë synon të promovojë kërkimin shkencor të brezit të ri dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi mes studiuesve të rinj dhe institucioneve akademike.

Konferenca organizohet në bashkëpunim me institucione të njohura akademike nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë, duke nxitur ndërkombëtarizimin e dijes dhe fuqizimin e rolit të universiteteve në ruajtjen e trashëgimisë.

Hapi horizontet e dijes!

Kjo ngjarje e rëndësishme i fton të gjithë të interesuarit — studiues, akademikë dhe studentë — të bëhen pjesë aktive në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë kulturore shqiptare.