Vepra e Dibrës, një univers më vete
Nt: “Studimi i veprës letrare të këtij autori i shërben edhe vetë studimit të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila, për shkak të afërsisë kohore të studiuesve me të, ka mbetur relativisht e pastudiuar. Konferenca është edhe një shenjë e vlerësimit për autorin, i cili këtë vit doli në pension si pedagog në Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’, por vijon krijimtarinë letrare, e cila nuk e njeh pensionimin”, ka thënë në fjalën e hapjes Prof. as. dr. Arben Prendi, drejtor i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka organizuar të hënën, më 30 qershor 2025, në Bibliotekën Universitare Shkodër, konferencën shkencore kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Ridvan Dibra, e cila kishte në fokus poetikën e veprës së tij letrare.
Konferenca shkencore u organizua në kuadër të projektit shkencor“Vepra letrare e Ridvan Dibrës në avangardë të letërsisë shqipe” mbështetur nga Universiteti i Shkodrës. Ajo tuboi pesëmbëdhjetë studiues – profesorë universitarë, shkrimtarë dhe ish-studentë të shkrimtarit dhe pedagogut Dibra – nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, të cilët nxorën në pah vlerat artistike të veprës letrare të këtij autori në kontekstin e letërsisë shqipe. Në fjalën e hapjes, drejtori i Departamentit të Letërsisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. as. dr. Arben Prendi, ka vënë në dukje se studimi i veprës letrare të shkrimtarit Ridvan Dibra i shërben edhe vetë studimit të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila, për shkak të afërsisë kohore të studiuesve me të, ka mbetur relativisht e pastudiuar. “Konferenca është edhe një shenjë e vlerësimit për autorin, i cili këtë vit doli në pension si pedagog në Departamentin e Letërsisë, por vijon krijimtarinë letrare, e cila nuk e njeh pensionimin”, ka thënë ai.
Ndërsa zëvendësrektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Blerta Dragusha, e ka cilësuar shkrimtarin Ridvan Dibra si një prej zërave më të veçantë dhe më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare. “Sot jemi mbledhur këtu jo thjesht për të folur për një emër të njohur të letrave shqipe, por për të nderuar një krijues që ka sfiduar vazhdimisht kufijtë e gjuhës, formës dhe mendimit letrar. Vepra e Ridvan Dibrës është një univers më vete, ku absurdi dhe realiteti ndërthuren, ku ironia bëhet një mjet i thellë filozofik dhe ku fjala merr një peshë të jashtëzakonshme në zbërthimin e njeriut dhe shoqërisë”, është shprehur ajo në fjalën përshëndetëse.
Fjalë miradije për shkrimtarin Ridvan Dibra ka shprehur edhe prof. dr. Alfred Çapaliku, duke e vlerësuar lart krijimtarinë e tij letrare ndërsa u ndal në një vështrim mbi veprën “Franc Kafka I shkruan të birit”.
Në vijim të konferencës, studiuesit kanë trajtuar aspekte të ndryshme të krijimtarisë së frytshme letrare të shkrimtarit Dibra, e cila përbëhet prej 18 romaneve, 8 përmbledhjesh me tregime dhe novela, disa dramash, një poeme etj.
Në kumtesën e tij “Kujtesa krijuese e R. Dibrës: Ekspresionizëm dhe hiper-realizëm”, dr. Virion Graçi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë – Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka thënë se ekspresionizmi dhe hiper-realizmi tek Dibra nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin. “Kur e fokuson optikën narrative në kufijtë e përvetshëm të egos – e kjo ndodh shpesh, duke na dhënë një sërë ‘portretesh’/romanesh autobiografikë – i vjen e nevojshme tharja e ndodhisë, ndërprerja e rrjedhës
së ngjarjeve ose diskursit dekorativ, bëhet kalimi në përkufizime kuazi-teorike, në degëzime informative të përimtësuara, jo të natyrës fiksionale”, ka pohuar ai.
Shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni nga Kosova, duke folur për “Dy anët e krijimtarisë së Ridvan Dibrës”, ka thënë se proza është ana e ndritshme, kurse drama, ana e errët e këtij autori. “Prandaj, kur flasim për profilin e Ridvan Dibrës, krahas profilit të ndritshëm prej prozatori, duhet të flasim edhe për profilin e pandriçuar të tij. Pra, krahas Dibrës së zbuluar (të botuar dhe të studiuar), kemi edhe Dibrën e pazbuluar (të painskenuar, të pabotuar dhe të pastudiuar). Vetëm studimi i të dy anëve do të na e jepte portretin e plotë të tij”, ka thënë ai.
Në kumtesën Përtej postmodernizmit: Paralelizmi figurativ dhe poetika e ironisë në romanin Gjumi mbi borë të Ridvan Dibrës, prof. as. dr. Gëzim Puka vëren se krijimtaria e Ridvan Dibrës në dekadat e fundit dëshmon një lëvizje të matur dhe të vetëdijshme përtej estetikës së njohur postmoderne. Sipas tij, “kontributi më i madh i Ridvan Dibrës në prozën shqipe është se e bën atë më lirike, përmes zhytjes në intimitete shpirtërore. Ironia postmoderne, që ia vënë shpesh në dukje, është thjesht një mbulesë e zgjuar që fsheh frikën e zbulimit të dobësive të njeriut botëkrijues. Lexuesi i mirë i letërsisë i ka qejf dobësitë e njeriut, prandaj Ridvan Dibra është ndër shkrimtarët më emancipues që njoh”.
“Një lexim jolinear dhe tematik i romanit Gruaja që deshe i Ridvan Dibrës: një qasje përmes mjeteve digjitale” ka sjellë në kumtesën e saj dr. Sabina Osmanovic nga Universiteti i Malit të Zi. “Për korpusin e Ridvan Dibrës, vëzhguam variacione të rëndësishme stilistike dhe zgjedhje narrative në veprat e tij”, ka thënë ajo, duke nënvizuar se mjetet digjitale ofrojnë mënyra të reja dhe të fuqishme për të analizuar tekstet letrare, duke zbuluar modele jo lehtësisht të dallueshme përmes leximit tradicional linear.
Duke folur për “Autobiografizmin në romanet e Ridvan Dibrës”, prof. as. dr. Arben Prendi konstaton se ai është i pranishëm në disa prej romaneve të këtij autori, si: Gjumi mbi borë, Në kërkim të fëmijërisë së humbur, Franz Kafka i shkruan të birit, Dashuritë e virgjëreshës Madalenë, Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë etj. “Në romanet me temë autobiografike, autori kërkon dhe bën estetizimin e jetës së tij të përditshme me ngjarjet e vogla që bëhen të mëdha apo anasjelltas. Kuptohet, siç ndodh edhe me shkrimtarë të tjerë, nga e veçanta kalohet tek e përgjithshmja. Ndoshta e veçanta e trajtimit të temës autobiografike qëndron në faktin se, ndërsa zakonisht tek shkrimtarët e tjerë autori fshihet pas narratorit dhe personazheve, këtu autori del hapur dhe e zbulon veten me emër dhe mbiemër, madje edhe me profesion etj. Në këto romane shkrihen “autori biografik me personazhin artistik dhe me narratorin”, por edhe me lexuesin hipotetik”, ka cilësuar ai.
Prof. as. dr. Rrezarta Draçini nga Universiteti i Shkodrës, duke u mbështetur në romanin Të lirë dhe të burgosur të autorit Ridvan Dibra, ka trajtuar çështjen e lexuesit dhe procesimit psikolinguistik të teksteve të pandërprera. “Leximi i një romani pa asnjë shenjë pikësimi, pa asnjë element që na ndihmon në segmentimin gjuhësor, duket si i pamundur. Ndërkohë që romani Të lirë dhe të burgosur i prof. Ridvan Dibrës është prova që vërteton të kundërtën: kemi një roman që rrjedh dhe lexuesin e fut në botën e tij”, ka konstatuar ajo.
Dr. Merita Hysa nga Universiteti i Shkodrës është përqendruar te roli i gjuhës në krijimin e strukturës narrative te romani Gjumi mbi borë i shkrimtarit Ridvan Dibra. “Gjuha tek romancieri Dibra nuk është vetëm një formë apo mjet komunikimi – ajo është pasqyrë e gjithë atyre ndjesive që na shfaqen në trajtë prozaike me qëllim krijimin e një ndjeshmërie të veçantë në receptimin e
veprës. Gjuha bëhet një instrument i sofistikuar që krijon botë, që ndërton realitete të reja dhe që fton lexuesin në një dialog të vazhdueshëm me tekstin, përmes një sinteze të sofistikuar mes elementeve gjuhësore, strukturave narrative dhe efekteve estetike, duke transformuar gjuhën në një instrument kompleks që tejkalon funksionin e saj thjesht referencial”, ka konkluduar ajo.
Dr. Ermira Alija nga Qendra e Studimeve Albanologjike të USH-së ka trajtuar metafizikën e dashurisë (dhe martesës) në romanin Gruaja që deshe të Dibrës. Nëpërmjet metafizikës si koncept, ajo në artikullin e saj përpiqet të ndriçojë universalen e romanit dhe, nëpërmjet analizës së detajeve të stilit, përpiqet të tregojë krizën e metafizikës, por jo zhdukjen e saj, si dhe interpreton disa fenomene të tematikës së romanit përmes disa koncepteve teorike të karakterit social, psikologjik apo filozofik.
Studiuesi Andreas Dushi, në kumtesën e tij “Bala, antiheroi tipik i letërsisë shqipe”, ka theksuar se rasti më konkret kur vetmia kthehet në identitet është ai i personazhit të Balës në Legjenda e vetmisë. “Për mendimin tonë, Bala është antiheroi më përfaqësues i gjithë letërsisë shqipe. Në secilin kapitull flitet për vetminë e Balës, por gjithashtu nuk lihen pa u përshkruar edhe sjellje të tjera që na pasqyrojnë karakterin e tij, të tilla si pasiguria, dështimi, frika, zhgënjimi, dorëzimi etj.”, ka nënvizuar ai.
Eronita Kqiku nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka folur për “Diskurset gjinore në dy romane të Dibrës (Nudo dhe Dashuritë e virgjëreshës Madalenë)”. Ajo ka vlerësuar se ky shkrimtar paraqet një rast krejt të veçantë në historinë e letërsisë shqipe, referuar perspektivave dhe diskurseve të ndryshme që vijnë nga i njëjti autor. “Në njërën vepër e gjejmë diskursin fallocentrik, në tjetrën diskursin gjinocentrik. Te këto proza, diskurset e tilla dalin si vetëdije letrare dhe si stil i shkrimtarit, që në përgjithësi dallohet për eksperimentet letrare”, ka vlerësuar studiuesja.
Në kumtesën e saj “Poetika e romanit Dashuritë e virgjëreshës Madalenë të Ridvan Dibrës”, studiuesja e letërsisë Agnesë Shkodra nga Kosova ka pohuar se, edhe pse i botuar në vitin 2018, ky roman ende nuk e ka marrë vëmendjen e merituar nga kritika letrare shqiptare në aspektin e analizave më të thella. Duke analizuar strategjinë narrative, ajo arrin në përfundimin se “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” është një roman i ndërtuar mbi një poetikë pluraliste, ku ndërthuren nivele të ndryshme kuptimore dhe stilistike, çka e bën tekstin të qasshëm si për lexuesin empirik, ashtu edhe për atë model. Kjo poetikë e shumëfishtë, tipike për letërsinë postmoderne, nxjerr në pah jo vetëm vlerat estetike të romanit, por edhe funksionin e tij si vepër që sfidon pritshmëritë tradicionale në letërsinë bashkëkohore shqiptare”.
Një “Shtegtim në labirinthet narrative të veprës së Ridvan Dibrës” ka paraqitur në kumtesën e saj Britni Gera, ish-studente e programit të studimit Gjuhëv- Letërsi në Universitetin e Shkodrës. “Struktura narrative në veprat e Dibrës është në mënyrë të përsëritur interaktive, ku lexuesi përfshihet si pjesë aktive e tekstit. Përdorimi i vetës së dytë përforcon këtë përfshirje, duke i atribuar lexuesit një rol bashkautorësie në zhvillimin e rrëfimit. Në romanin Stina e ujkut, për shembull, lexuesi qëllimisht çorientohet dhe ngel i pasigurt nëse duhet të identifikohet me njeriun, bishën, me të dy ose me asnjërin”, theksoi ajo.
Rreth qasjes përkthimore të romanit Legjenda e vetmisë në gjuhën frënge, më konkretisht një vështrim teorik dhe kulturor, ka paraqitur në kumtesën “Bala në kufijtë e vetmisë: Legjenda, psikologjia dhe përkthimi i një universi letrar”, prof. as. dr. Drita Brahimi, pedagoge në Departamentin e Romanistikës të Universitetit të Shkodrës. Ajo ka vlerësuar punën e
jashtëzakonshme të përkthyeses Évelyne Noygues, që sipas saj dëshmon për një njohje të thellë dhe të hollësishme të nuancave stilistikore të thjeshta, por domethënëse, të shkrimtarit Ridvan Dibra. “Si lexuese dygjuhëshe, pohoj me bindje se kam përjetuar të njëjtën kënaqësi gjatë leximit të romanit në frëngjisht, pasi përkthimi ruan rrjedhshmërinë dhe integritetin e tekstit origjinal. Përkthyesja ka respektuar me përpikëri strukturën e çdo kapitulli, duke integruar me kujdes leksemat dialektore, përdorimin e shkronjave të mëdha dhe kllapat, të cilat janë elemente të veçanta të stilit të autorit”, vërejti studiuesja Drita Brahimi.
Në kumtesën e saj, Klevisa Bardeli nga Universiteti i Shkodrës është përqendruar në analizën psikologjike të dy veprave: Stina e ujkut dhe Legjenda e vetmisë të Ridvan Dibrës, të para në dritën e psikanalizës së Frojdit dhe të teorive të tjera psikologjike, kryesisht në dimensionet e vetmisë, pavetëdijes dhe traumës. Ajo arrin në përfundimin se: “Ridvan Dibra është jo vetëm një prozator i rëndësishëm në aspektin e krijimit letrar, por edhe një eksplorues i psikikës njerëzore, që përmes gjuhës së figurshme dhe strukturave narrative introspektive, ndërton ura mes letërsisë, psikologjisë dhe filozofisë. Vepra e tij, përtej bukurisë estetike, ngre pyetje thelbësore mbi natyrën njerëzore, mbi procesin e përballjes së individit me dhimbjen, me vetminë si gjendje ekzistenciale dhe mbi mekanizmat me të cilat njeriu përpiqet të rikthejë kuptimin e jetës”.
Mbi “Elementet letrare që përmbush vepra e Ridvan Dibrës për të qenë pjesë e programeve shkollore në AML” ka kumtuar Laureta Bruka. Ajo argumentoi se “…letërsia e Dibrës përmbush kriteret që përcakton kurrikula: vlera artistike dhe gjuhësore, përputhshmëri me nivelin mendor dhe emocional të nxënësit, aftësia për të nxitur mendimin kritik dhe ndërgjegjësimin qytetar. Veprat e tij, përveç kompleksitetit stilistik dhe përmasës simbolike, kanë një forcë të veçantë ndërveprimi emocional me lexuesin e ri, duke i ofruar mundësinë për të njohur dhe emërtuar përvoja të brendshme që shpesh mbeten të patrajtuara në tekstet klasike”.
Aktet e kësaj konference do të botohen së shpejti në një përmbledhje të veçantë.
Box katror Studentët, lexuesit e parë të Dibrës
Shkrimtari Ridvan Dibra, i njohur për thjeshtësinë dhe modestinë e tij, është shprehur se ka pasur privilegjin të punojë si pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se lexuesit dhe vlerësuesit e parë të veprës së tij kanë qenë studentët e letërsisë, të cilët shpesh i kanë dhënë përshtypjet e para dhe e kanë nxitur e frymëzuar për të vijuar rrugën e krijimtarisë letrare.
Box katror Letra e Çapalikut
Në pamundësi për të qenë i pranishëm, shkrimtari Stefan Çapaliku në letrën e tij drejtuar shkrimtarit Ridvan Dibra, shprehet ndër të tjera: “Ti, i dashtun Ridvan, je nji figurë shumë e randsishme e letrave shqipe, jo thjesht se qe krejtësisht i pranishëm atëherë kur ra ‘Muri’, porse me letrat tueja dhe nji dorë që ky ‘Mur’ të rrëzohet dhe të thyejë qafën, jo veç në politikë dhe jetën shoqnore, por edhe në letërsinë tonë”.
Përgatiti Ismet Kallaba