• Ankesa

Në një prononcim për shtyp

Në një prononcim për shtyp, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, bëri të ditur rezultatet e regjistrimeve të studentëve pas mbylljes së raundit të parë të programeve të studimit Bachelor dhe atyre me karakter profesional.

Sipas statistikave, raporti kuota–regjistrime deri tani shënon një trend të vogël rritjeje, duke arritur në 45.21%, krahasuar me 44.73% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Programet e studimit me një trend të vogël rritjeje deri tani, janë:

• Financë–Kontabilitet

• Informatikë

• Edukim Fizik dhe Sporte

• Psikologji

• Infermieri e përgjithshme

• Gjeografi dhe Zhvillim Territori

• Mësuesi për Arsim Parashkollor

• Drejtësi

• Gjuhë Italiane

• Gjuhë Gjermane

• Specialist i Lartë Elektrik

Rektori Gjuraj shprehu optimizëm për një numër në rritje të studentëve edhe në Ciklin II Master Shkencor dhe Master Profesional, duke theksuar se këtë vit janë hapur katër programe të reja studimi.

Rektori u kujtoi të gjithë maturantëve se kanë ende në dispozicion dy raunde të tjera për regjistrim:

• Raundi i dytë: përzgjedhja e programeve të studimit 20–22 shtator, ndërsa regjistrimet 29 shtator – 8 tetor

• Raundi i tretë (i lirë): 13–24 tetor

Pas datës 24 tetor, procesi i regjistrimeve për programet Bachelor dhe profesionale do të mbyllet.

Në vijim, Rektori Gjuraj u bëri thirrje përfaqësuesve të të gjitha forcave politike që përfaqësojnë Shkodrën në Kuvendin e Shqipërisë që të bashkohen për të lobuar në mënyrë që Universiteti i Shkodrës të ketë një kampus universitar modern dhe investime të tjera në infrastrukturë. Ai veçoi rëndësinë e rikonstruksionit të njërës prej dy godinave të rëndësishme për t’u vënë në dispozicion të UNISHK, asaj të ish-Spitalit Neuropsikiatrik apo godinës së ish-Sanatoriumit, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin akademik e shkencor të universitetit.

Po ashtu, Rektori theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Bashkinë e Shkodrës, në lidhje me çështje që lidhen me konviktin, mensën, kartën e studentit dhe falënderoi institucionin për investimet e kryera në godinën e Rektoratit.