Në kuadër të bashkëpunimit mes Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Université de Haute-Alsace, delegacioni i UNISHK, i përbërë nga pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Fakultetit të Shkencave Shoqërore, si dhe studentë të programit të gjuhës frënge, zhvilloi një vizitë zyrtare në Francë, ku u çel edhe Java e Gjuhës Shqipe.
Java nisi me konferencën e znj. Evelyne Noygues me temë: “Çfarë do të thotë të sjellësh në gjuhën frënge veprën e shkrimtarit Ridvan Dibra: ‘Legjenda e vetmisë’”, kushtuar procesit të përkthimit dhe sfidave që shoqërojnë transferimin ndërgjuhësor dhe ndërkulturor të një vepre letrare.
Pedagogë dhe studentë të përkthimit në Université de Haute-Alsace u njohën fillimisht me disa fakte themelore mbi gjuhën shqipe, si dhe me personalitete të letërsisë shqiptare të përkthyera në frëngjisht. Më pas, vëmendja u përqendrua te sfidat specifike të përkthimit të romanit “Legjenda e vetmisë” të Ridvan Dibra, duke analizuar aspektet stilistike, semantike dhe kulturore të tekstit.
Delegacioni i UNISHK u prit nga Laurent Curelly, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve dhe Shkencave Humane, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe theksoi perspektivat për zgjerimin e tij.
Në një auditor francez, vepra e kolegut Dibra foli njëkohësisht në frëngjisht dhe shqip, duke dëshmuar fuqinë e letërsisë për të kapërcyer kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë.
Kjo vizitë u zhvillua edhe në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të universitetit, me fokus në ndërtimin e projekteve të përbashkëta në fushën e rritjes së kapaciteteve akademike dhe kërkimit shkencor, duke konsoliduar më tej partneritetin mes dy institucioneve.
