Studenti si gazetar, udhëtim përmes botës së medias digjitale, studentët morën rolin e gazetarit të së nesërmes dhe sollën prezantime me tema aktuale, të ndërtuara me përkushtim dhe mendim kritik duke mbyllur kështu dy lëndët e komunikimit digjital, "Gazetari Online" dhe " Multimedia", me pedagogun Altin Mema pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore.
U paraqitën prezantime dhe çështje me rëndësi të veçantë si:
• Fushatat elektorale mes medias tradicionale dhe asaj digjitale
• Turizmi digjital dhe historik, roli i medias në promovimin e destinacioneve
• Dhuna në mediat sociale dhe ndikimi mbi shëndetin mendor
• Etika e raportimit në epokën e lajmit të shpejtë
• Dezinformimi dhe sfidat e gazetarisë faktike
• Gazetaria mes së vërtetës dhe etjes për klikime etj.
Këto tema nuk ishin vetëm ushtrime akademike, por një reflektim i realitetit që studentët do të përballen si profesionistë të së ardhmes pas diplomimit. Përmes këtyre praktikave Fakulteti i Shkencave Shoqërore në USH ka synuar që studenti menjëherë pas diplomimit të jetë i gatshëm për tregun mediatik, gjë të cilën e ka arritur suksesshëm në gjithë këto vite. Gazetarë profesionistë të cilët janë pjesë kryesore në media kombëtare, lokale, kompani të ndryshme dhe specialist komunikimi në institucione publike, e bëjnë krenar Universitetin "Luigj Gurakuqi", që i mirëpriti dhe i bëri histori të tij.