Mundësinë e formimit të mediatorëve gjuhësorë dhe ndërkulturorë

Albanologia nga Universiteti i Salentos, Monica Genesin, gjatë vizitës së saj në Universitetin e Shkodrës, diskutoi me rektorin Gjuraj mundësinë e formimit të mediatorëve gjuhësorë dhe ndërkulturorë, pra mësues e ndërmjetës kulturorë, në kuadër të një programi të dyfishtë të ciklit të dytë. Kjo është në interesin e USH-së, sepse pranë Departamentit të Romanistikës kanë ardhur këto ditë përfaqësues nga kampi i refugjatëve në Gjadër, për të mësuar nëse mund të ofrohen përkthyes dhe mediatorë, për të punuar atje. Pra, një kërkesë e tillë lind nevojën e përgatitjes së të rinjve të duhur për këtë qëllim, jo vetëm të atyre me Bachelor italisht dhe frëngjisht, por edhe të personave që kanë një formim në shkencat shoqërore dhe edukimit. Gjatë bisedës u kërkua që të ndërthuren mësuesia me mediatorin, si një mundësi punësimi nesër për të rinjtë. Po ashtu, brenda fushës së turizmit, u fol për rëndësinë e një bashkëpunimi për skicimin e një programi për komunikimet turistike midis USH-së dhe Salentos.