Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës, "Luigj Gurakuqi", u zhvillua
TRAINIMI
“Mjetet e Inteligjencës Artificiale (AI) për Automatizimin në Biznese"
Në kuadër të aktiviteteve të projektit ERASMUS-EDU-2022-CBHE; SMART Innovation Centers for the Development of Innovative and Entrepreneurial Thinking to Facilitate the Development of Sustainable Smart Solutions in the Western Balkans. Project: 101082938 — SMART u zhvillua trainimi me temë “ Mjetet e Inteligjencës Artificiale (AI) për Automatizimin në Biznes”.
Më 20 dhjetor 2024, në ambientet e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", u zhvillua një trajnim i rëndësishëm i organizuar nga Smart Business Hub i UNISHK, në bashkëpunim me këtë universitet, pjesë e rrjetit të SMART Innovation Centres. Ky aktivitet mblodhi një audiencë të gjerë përfshirë studentë, sipërmarrës dhe profesionistë të interesuar për teknologjinë dhe inovacionin, duke ofruar një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave mbi përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në fushën e biznesit.
Në këtë trainim, PhD Sidita Duli, eksperte me një përvojë të pasur në fushën e Shkencave Kompjuterike dhe zhvillimin e zgjidhjeve të bazuara në AI, ndau njohuri të thelluara mbi aplikimet praktike të inteligjencës artificiale për automatizimin e proceseve të biznesit. Përvoja e saj, që kombinon kërkimin akademik dhe aplikimin praktik, u ilustrua përmes shembujve të qartë dhe aplikacioneve konkrete që ndihmuan pjesëmarrësit të kuptonin mundësitë e jashtëzakonshme të teknologjisë për përmirësimin e proceseve operative.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me mjete inovative si Make.com, të cilat lejojnë automatizimin e proceseve të ndryshme, duke rritur kështu efikasitetin dhe produktivitetin. Diskutimet u fokusuan gjithashtu në rëndësinë e inovacionit dhe zhvillimit të një mendësie sipërmarrëse, aspekte kyçe për bizneset moderne që synojnë të mbeten konkurruese në tregun global.
Ky aktivitet u realizua në një format interaktiv, duke i mundësuar të pranishmëve jo vetëm të ndjekin ligjëratën e PhD Sidita Duli, por gjithashtu të angazhohen në diskutime dhe të ndajnë përvojat e tyre. Ky format kontribuoi në krijimin e një ambienti të hapur dhe stimuloi shkëmbimin e idesë dhe praktikave të suksesshme.
Dr. Ylvije Kraja, referoi në lidhje me kontributin e SMART Business Hub në zhvillimin e start up-ve dhe sipërmarrjes brenda komunitetit. Gjithashtu Ph.D. Elvisa Drishti dhe Dr. Emirjeta Bejleri trajtuan çeshtje të tjera lidhur me mjetet e AI për automatizimin proceseve të biznesit, dhe operacioneve.
Trajnimi arriti të realizojë me sukses qëllimin e tij kryesor: të edukojë dhe të inspirojë pjesëmarrësit për të përqafuar teknologjitë më të fundit, duke sjellë më shumë vlerë dhe inovacion në bizneset e tyre. Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në promovimin e inteligjencës artificiale si një mjet strategjik për rritjen e konkurrueshmërisë në fushën e biznesit.