• Ankesa

Mini Guida, Shkodra

Me datën 5 qershor 2025, në mjediset e Bibliotekës së Universitetit u promovua libri “Mini Guida, Shkodra” me autore Melisa Paci, botim i Shtepisë botuese Albas, organizuar nga Departamenti Romanistikë, me pjesmarrjen e pedagogëve, studentëve, nxënësve të shkollave “Ismail Qemali”, “Branko Kadia” dhe “Oso Kuka”. Tea Çuni, eksperte për çështjet e trashëgimisë kulturore dhe ato në fushë të turizmit, prezantoi librin përpara të pranishëmve, duke dhënë disa mënyrë të leximit të tij, por më së shumti si një mënyrë përjetimi e qytetit të Shkodrës me historinë, kulturën, mendësinë, protagonizmin dhe gjithçka i përket. Ajo sugjeroi gjithashtu se termi mini-guide, apo edhe guide, nuk do te mjaftonte për të sintetizuar atë se çfarë teksti përcjellë. Në një këndvështrim ndryshe, si mësimdhënëse e historisë, Rudina Uruçi (Shkolla“Ismail Qemali”), e vlerësoi librin për risitë që sjell, duke sugjeruar që teksti mund të propozohej për të qenë pjesë e kurrikulave shkollore. Më pas takimi përvijoi me autoren Melisa Paci, ish pedagoge e Departamentit Romanistikë, e cila rrëfeu, në një bashkëbisëdim me studentë e nxënës në sallë, mbi përvojën dhe emocionet e përjetuara në hartimin e këtij teksti, illustrimet e të cilit janë bërë nga artisti i mirënjohur Adrian Paci. Nga takimi u konkludua me ide të reja për t’u zhvilluar në të ardhmen me nxënës e studentë, si bashkërendim veprimtarish mes universitetit she sistemit shkollor parauniversitar.