• Ankesa

“Metodat e Kërkimit Shkencor: Nga Ideja Kërkimore te Publikimi Akademik”

Trajnimi akademik me tematikën “Metodat e Kërkimit Shkencor: Nga Ideja Kërkimore te Publikimi Akademik”, i organizuar nga Fakulteti Ekonomik për studentët e doktoraturës në Ekonomi dhe Turizëm të Qëndrueshëm, ishte një eksperiencë me vlerë të veçantë në zhvillimin akademik dhe kërkimor të pjesëmarrësve. Ky trajnim filloi me 27 Mars 2026, ku për dy muaj me radhë, çdo të premte, studentët e doktoraturës u pajisën me njohuri bashkëkohore, aftësi praktike dhe qasje të avancuara metodologjike, të cilat do të kontribuojnë në punën e tyre shkencore dhe profesionale në të ardhmen.

Trajnimi u zhvillua në mënyrë praktike dhe interaktive, duke e bërë proçesin e të nxënit më dinamik, më të qartë dhe lehtësisht të aplikueshëm në praktikën kërkimore. Përmbajtja ishte e strukturuar në mënyrë profesionale dhe trajtonte tema aktuale e të rëndësishme që lidhen me metodologjinë e kërkimit shkencor, hartimin e punimeve akademike dhe proçesin e publikimit shkencor. Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit patën mundësinë të përfitojnë njohuri konkrete mbi ndërtimin e një ideje kërkimore, analizën empirike dhe prezantimin e rezultateve në standarde akademike bashkëkohore.

Një aspekt mjaft pozitiv i trajnimit ishte atmosfera bashkëpunuese dhe profesionale e krijuar gjatë sesioneve, e cila mundësoi diskutime të hapura, shkëmbim eksperiencash dhe ndarje idesh ndërmjet pjesëmarrësve nga fusha të ndryshme studimore. Kjo ndikoi në zgjerimin e perspektivës akademike dhe në nxitjen e interesit për zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimeve ndërdisiplinore.

Vlerësim të veçantë meritojnë trajnerët dhe stafi akademik i Fakultetit Ekonomik për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë zhvillimit të trajnimit: Prof. As. Dr. Ardita Boriçi, Prof. As. Dr. Nevila Mehmetaj, Dr. Alkida Hasaj dhe Prof. As. Dr. Ervisa Drishti. Gjithashtu, një kontribut me shumë vlerë ishte edhe prezantimi i Prof. Mirjeta Beqiri nga Gonzaga University, USA, e cila solli një perspektivë ndërkombëtare mbi kërkimin shkencor dhe publikimin akademik.

Një element frymëzues i trajnimit ishte edhe prezantimi i përvojave kërkimore nga studentët e doktoraturës së brezit të parë dhe njëkohësisht pedagogë në Fakultetin Ekonomik, Dr. (cont.) Valbona Paja dhe Dr. (cont.) Jetmir Muja, të cilët ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat dhe sfidat gjatë proçesit të doktoraturës. Të gjitha prezantimet u realizuan në mënyrë të qartë, të kuptueshme dhe praktike, duke krijuar një ambient të hapur për pyetje, diskutime dhe reflektim kritik. Gatishmëria e trajnerëve dhe prezantuesve për të ndarë eksperienca konkrete e bëri trajnimin edhe më të vlefshëm dhe motivues për pjesëmarrësit.

Përdorimi i platformës Teams për komunikimin ndërmjet pjesëmarrësve dhe trajnerëve, si dhe për shkëmbimin e materialeve trajnuese, e bëri proçesin më praktik dhe efektiv, duke lehtësuar bashkëpunimin dhe aksesin e vazhdueshëm në materialet akademike.

Në përfundim, studentët e doktoraturës shprehën nevojën që në të ardhmen të krijohen mundësi më të mëdha për hyrjen në databaza dhe platforma shkencore ndërkombëtare, të cilat janë thelbësore për kërkimin akademik dhe hartimin e artikujve shkencorë.