Më datat 20–22 shkurt 2025, grupi i punës së projektit APEL WB “Accreditation of Prior Experiential Learning” I Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i drejtuar nga Prof.as.dr. Bresena Kopliku mori pjesë në takimin e parë të këtij projekti që u zhvillua në Kolegjin Universitar “LOGOS”, Tiranë.
Qëllimi kryesor i projektit është zhvillimi dhe zbatimi i një sistemi të Vlerësimit të Nxënit të Mëparshëm, i krijuar për të shkurtuar kohëzgjatjen e studimeve në institucionet pjesëmarrëse, që përfshijnë:
· Kolegjin Universitar LOGOS,
· Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,
· Universitetin e Prishtinës,
· RIT College (A.U.K.) Kosovë
· Universitetin e Sarajevës.
me mbështetjen e Universiteteve të mëposhtëm:
· Universitetin Akureyri, Islande
· Universitetin Tallin, Estoni
· Universiteti i Patras, Greqi
· Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë
· Ministria e Arsimit, Shqipëri
· Ministria e Edukimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Kosovë
· Centar Za Informiranje i Priznavanje Dokumenata Iz Podrucja Visokog Obrazovanja (Cip) Mostar, Bosni-Hercegovina
Konsorciumi i projektit do të hartojë, testojë në fazë pilot, vlerësojë dhe zbatojë një proces të plotë vlerësimi, duke krijuar një sistem të unifikuar të zbatueshëm në universitetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo nismë pritet të kontribuojë në mënyrë domethënëse në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe forcimin e kompetencave të fuqisë punëtore në tregun rajonal të punës.
Objektivat e përgjithshme të projektit APEL-WB janë:
1. Të shërbejë si një katalizator për ndryshim shoqëror, rritje dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor;
2. Të rrisë kapacitetet e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) dhe autoriteteve kompetente për të modernizuar sistemet e arsimit të lartë përmes reformave legjislative dhe procedurale që mbështesin përcaktimin, zbatimin dhe monitorimin e Njohjes dhe Akreditimit të Mësimit të Mëparshëm (RAPL);
3. Të përmirësojë trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit akademik dhe administrativ për të rritur cilësinë afatgjatë dhe qëndrueshmërinë e arsimit të lartë; dhe
4. Të forcojë bashkëpunimin institucional, ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e praktikave të mira.
Gjatë ditëve të takimit u diskutuan rolet, afatet, aktivitetet kryesore dhe mekanizmat e bashkëpunimit brenda konsorciumit. Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësi të shkëmbenin ekspertizat e tyre mbi praktikat më të mira në fushën e RPL.
