Më 19 prill 2024, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim në Universitetin “Luigj Gurakuqi” me studentë dhe maturantë të qytetit të Shkodrës. Në këtë takim Ministrja shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për programet prioritare.
Fjalën përshëndetëse në këtë takim e mbajti rektorja, Prof. Dr. Rajmonda Këçira, e cila theksoi se synimi i Universitetit tonë është që rrugëtimi në fushën e dijes dhe të shkencës të mos rreshtë asnjëherë. Të pranishmit i përshëndeti studentja ekselente Dea Karakaçi, si dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili nënshkroi një marrëveshje me Ministren për Kartën e Studentit.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe Ministrja Elisa Spiropali.
Në vijim të vizitës së saj, Ministrja Manastirliu vizitoi Bibliotekën Shkencore të Universitetit, ku u njoh me antikuarin dhe fondin e Albanologjisë.
Ministrja pati edhe një takim me stafin akademik, ku u diskutua më së shumti në lidhje me aplikimet, programet e reja dhe nevojën për t’i reformuar dhe riorganizuar ato ekzistuese.