Vizitën e saj në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e nisi në Laboratorin e Analizave të Ushqimit, ku u prit nga Rektori dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Më pas Ministrja zhvilloi një takim me stafin akademik të Universitetit të Shkodrës, ku u diskutua për planin e ri strategjik që do të hartohet në bashkëpunim me diasporën akademike, me synim shndërrimin e këtij universiteti në një qendër rajonale të arsimit të lartë.
Ky plan do të rrisë konkurrueshmërinë e universitetit dhe do t’u ofrojë më shumë mundësi të rinjve të Shkodrës dhe më gjerë, teksa paralelisht po punohet për të mbështetur akoma më shumë këtë universitet me laboratorë kërkimorë për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimin shkencor, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, theksoi ministria në fjalën e saj.
Duke e falënderuar për mbështetjen, rektori vuri theksin te reforma e programeve, ndërdisiplinariteti, ndërkombëtarizimi, si dhe prioritetin e punës së tij, që studentët të bëhen pjesë e qeverisjes së universitetit.