• Ankesa

Marrëveshje e rëndësishme mes Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Në ambientet e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor ndërmjet këtij institucioni dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Marrëveshja përfshin një sërë komponentësh të rëndësishëm, si shkëmbimi i stafit akademik, kërkuesve dhe studentëve, zhvillimi i projekteve të përbashkëta shkencore, organizimi i konferencave dhe botimeve, si dhe shkëmbimi i përvojës në drejtimin dhe menaxhimin universitar.

Kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor, veçanërisht në fushën e studimeve të avancuara dhe programit të doktoratës, ku parashikohet përfshirja aktive e personelit të dy universiteteve në udhëheqje dhe bashkëudhëheqje.

Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. dr. Tonin Gjuraj, deklaroi se “kjo është marrëveshja më e rëndësishme që kam nënshkruar gjatë këtyre 10 muajve që kam marrë detyrën si rektor”, duke vlerësuar nivelin e bashkëpunimit dhe mundësitë konkrete që ajo hap për zhvillimin cilësor të arsimit të lartë.

Marrëveshja u firmos nga rektorët Prof. dr. Xheladin DRAÇINI dhe Prof. dr. Tonin GJURAJ, dhe do të jetë në fuqi për një periudhë 4-vjeçare, me mundësi rinovimi të heshtur nëse palët janë dakord.