Aktivitet i organizuar nga Qendra SMART Business Hub, në bashkëpunim me shoqatën studentore W–CARP, si dhe me Departamentet e Turizmit, Administrimit të Biznesit dhe Financës, pranë Fakultetit Ekonomik.
21 Maj 2025
Prof.as.dr. Elidiana Bashi
Dekane e Fakultetit Ekonomik
Më datë 21 maj 2025, në ambientet e Qendrës SMART Business Hub (SIC–SBH), pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua një aktivitet ndërdisiplinor i organizuar në bashkëpunim ndërmjet kësaj qendre, shoqatës studentore W–CARP dhe Departamenteve të Turizmit, Administrimit të Biznesit dhe Financës.
Ky aktivitet kishte si qëllim promovimin e lidershipit të bazuar në vlera, forcimin e përgjegjësisë sociale dhe rritjen e angazhimit të të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe komunitetit. Në kuadër të tij, u organizuan sesione interaktive që trajtuan tematika të tilla si ndërtimi i karakterit, vendimmarrja etike në sipërmarrje, si dhe rëndësia e përfshirjes së të rinjve në formësimin e së ardhmes së shoqërisë.
Studentë nga disiplina të ndryshme të Fakultetit Ekonomik u përfshinë në diskutime, punë në grupe dhe prezantime me fokus në zhvillimin e iniciativave praktike që ndërthurin vlerat personale me aspiratat profesionale. Aktiviteti shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbim idesh, nxitje të bashkëpunimit ndërmjet njësive akademike dhe organizatave studentore, si dhe për fuqizimin e rolit të studentëve në sipërmarrje dhe projekte me ndikim shoqëror.
Kjo nismë e përbashkët solli në vëmendje rëndësinë e edukimit si proces gjithëpërfshirës, që përveç transmetimit të dijes akademike, synon të formojë të rinjtë si qytetarë aktivë dhe liderë të përgjegjshëm të së ardhmes