• Ankesa

Leksione të Hapura me Profesorë nga Universiteti i Marmarasë – Një Urë Bashkëpunimi Akademik Ndërkombëtar

Në datat 27–28 maj 2025, pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në kuadër të programit Erasmus+ KA171 Staff Mobility, u zhvillua një seri leksionesh të hapura me pjesëmarrjen e tre profesorëve të ftuar nga Universiteti i Marmarës në Stamboll, Turqi.

Këto aktivitete u realizuan në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore, duke sjellë mendimin akademik mbi tematika të ndërlidhura me gjuhësinë, letërsinë, historinë dhe marrëdhëniet kulturore shqiptaro-turke.

Assoc. Prof. Dr. Nusret Gedik

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke

Tema: Poetët me origjinë shqiptare në letërsinë turke

Në fokus të ligjëratës ishin poetët shqiptarë që kontribuuan në letërsinë osmane, me theks të veçantë mbi autorët nga Vilajeti i Shkodrës, duke shpalosur aspekte të identitetit dhe ndikimit të tyre në kulturën letrare turke.

Prof. Dr. Ümran Ay

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke

Tema: Tregimet poetike në veprën "Safahat" të Mehmet Akif Ersoyt

Prof. Ay ndau me auditorin një analizë të thelluar të veprës "Safahat", të autorit me origjinë nga Peja e të mirënjohur për autorësinë e himnit kombëtar të Turqisë. Ajo theksoi lidhjen shpirtërore dhe kulturore të tij me trevat shqiptare.

Asist. Prof. Dr. Engin Çetin

Departamenti i Historisë

Tema: Rëndësia e arkivit osman për historinë shqiptare

Përmes një paraqitjeje të detajuar, u shpjegua tipologjia e dokumenteve osmane me interes për historinë shqiptare dhe u theksua vlera e jashtëzakonshme që ky arkiv paraqet për studiuesit shqiptarë. Prof. Çetin i ftoi të rinjtë dhe kërkuesit shkencorë të shfrytëzojnë këto burime të pasura për studime të mëtejshme.

Leksionet u pritën me interes të madh nga studentët, pedagogët dhe publiku i pranishëm, duke nxitur diskutime konstruktive dhe pyetje të shumta mbi temat e trajtuara.

Gjatë qëndrimit në Shkodër, profesorët nga Universiteti i Marmarasë zhvilluan edhe një takim me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Prof. Dr. Artan Haxhi, ku u diskutuan gjatë mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm akademik, organizim konferencash, botimesh të përbashkëta dhe shkëmbime të stafit dhe studentëve.