Më 7-13 qershor, në kuadër te programit ERASMUS, Prof. Giovanni Busseta nga Universiteti i Messina, Itali, i cili realizon kërkime mbi diskriminimin në tregun e punës ndaj disa grupeve minoritare( personat mbipeshë, të huaj apo jotërheqës në pamje), indekset e diskriminimit etj, ka zhvilluar në Fakultetin e Drejtësisë një cikël leksione me temë "Diskriminimi në Punësim". Identifikimi i diskriminimit është shpesh i vështirë. Një ndër metodologjitë që po përdoret gjithnjë e më shumë në vendet e Europës dhe në Amerikë është "testimi i situatës" (situation testing). Diskriminimi në punësim, veçanërisht në fazën e rekrutimit të punonjësve është një fushë ku ky eksperiment ka gjetur zbatim.
Përveçse një metodë e përdorur në kërkimet sociologjike, realizimit të fushatave ndërgjegjësuese dhe ndikimit në hartimin e politikave, rezultatet e kësaj metodologjie po përdoren edhe për të provuar se ka ndodhur një sjellje diskriminuese. Ajo është një metodë më e përshtatshme për të evidentuar diskriminimin e drejtëpërdrejtë.