Pranë Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, u zhvillua një aktivitet i veçantë akademik me pjesëmarrjen e studentëve francezë nga Université de Haute-Alsace, të ardhur në Shkodër në kuadër të programit Erasmus .
Studentët u pritën ngrohtësisht nga dekani i FSHSH, prof. Artan Haxhi, dhe nga drejtuesja e Departamentit të Gjuhësisë, prof. Orjeta Baja. Pas fjalëve përshëndetëse, prof. Baja mbajti një leksion me temë: “Emprunts français dans la langue albanaise”, duke analizuar ndikimin e frëngjishtes në shqipe përmes huazimeve leksikore.
Në fund të ligjëratës, u zhvillua një punë praktike ndërvepruese me studentët francezë dhe ata të programit “Gjuhë-Letërsi” të FSHSH, ku u analizuan fjalët e huazuara nga frëngjishtja në shqip. Diskutimet ishin frymëzuese dhe nxorën në pah rolin e gjuhëve në ndërtimin e dialogut ndërkulturor .
Ky takim forcon misionin e përbashkët për një arsim më të hapur, bashkëpunues dhe ndërkombëtar.