Më 28 prill 2025, studiuesja Evalda Paci, nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe drejtoreshë e Departamentit të Studimeve Letrare, mbajti një leksion të hapur me temën:
“Burimet dokumentare dhe historiku i njohjes së teksteve të vjetra shqipe”.
Në këtë leksion, studentët e Masterit Shkencor në “Studime të historisë dhe kulturës shqiptare” dhe të Doktoratës në “Gjuhën shqipe” patën mundësinë të thellojnë njohuritë mbi veprat e letërsisë së vjetër shqipe dhe autorët humanistë të shekullit XVI.
Studiuesja Paci ndriçoi aspekte të rëndësishme të interpretimit të varianteve tekstore dhe të burimeve dokumentare, duke sjellë fakte mbi procesin e përpilimit dhe botimit të veprave të ruajtura në bibliotekat më të rëndësishme evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kulturës librore dhe ndikimit të shtypshkrimit në kohët e hershme, si dhe trajtimit të veprave të Marin Barletit dhe Gjergj Merula-s në kontekstin evropian dhe ballkanik të humanizmit.
Ky aktivitet pasuroi dijet akademike të studentëve dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe studimit të trashëgimisë sonë kulturore!