Në sallën e konferencës pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja u mbajt një leksion i hapur nga prof. Graziella Parati (Kolegji Dartmouth, SHBA) dhe Dr. Lidia Radi (Univeristeti Richmond, SHBA).
Të pranishëm në takim ishte zv/rektorja për Marrëdhëniet me Jashtë prof.dr. Rajmonda Këçira, dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja prof.as.dr. Edlira Bushati, Dr. Roland Dodani Konsull Nderi i Italisë si dhe pedagogë e studentë të Universitetit të Shkodrës.
Leksioni u përqëndrua në fenomenin e migrimit, këndvështrimit të tij politik (asimilim apo integrim), social e antropologjik. U trajtua dhe u diskutua koncepti i paragjykimeve dhe i stereotipeve: si lindin dhe çfarë impakti lënë për imazhin e një populli.
Gjithashtu u trajtua rëndësia e dialogut ndërkulturor, çeshtja e integrimit të shqiptarëve të migruar, duke u fokalizuar përkatësisht tek shkrimtaret me origjinë shqiptare si Ornala Vorpsi, Anilda Ibrahimi dhe Elvira Dones, të cilat, me krijimtarinë e tyre, patën mundësinë t’i tregonin vendit fqinj për vlerat, traditat dhe historinë e popullit shqiptar përmes romaneve të botuara në gjuhë të huaj.
Leksioni u prit me mjaft interes nga auditori, ku zgjoi dëshirën për të diskutuar çështje dhe tematika aq aktuale dhe njëkohësisht të jetuara nga shumë prej nesh.