Në kuadër të lëndës “Trajtimi Psiko-Edukativ i Çrregullimeve në Komunikim”, Departamenti i Mësuesisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi një leksion të hapur me temë:
“Koncepti i komunikimit të aksesueshëm dhe standardet e gjuhës së lehtë”.
Leksioni u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të studentëve të vitit të parë të Masterit Profesional në Pedagogji Speciale, të cilët u angazhuan në një atmosferë dinamike ku teoria u ndërthur me praktikën.
Tematika të rëndësishme si:
• koncepti i gjuhës së qartë dhe të thjeshtë,
• udhëzimet për përdorimin e saj,
• dhe standardet europiane për informacion të lehtë për t’u kuptuar,
u trajtuan përmes prezantimeve ndërvepruese dhe demonstrimeve praktike.
Leksioni u zhvillua nën drejtimin e Dr. Arlinda Ymeri, zv. Dekane e Fakultetit dhe titullare e lëndës, në bashkëpunim me Departamentin e Mësuesisë, duke sjellë një organizim të suksesshëm dhe përfshirës.
E ftuar speciale ishte Drejtoresha e shkollës “3 Dhjetori”, e cila solli një perspektivë frymëzuese mbi ndikimin e gjuhës së thjeshtë në klasat gjithëpërfshirëse dhe në ndërveprimet tona të përditshme.
Ky aktivitet u shndërrua në një model të shkëlqyer të mësimdhënies aktive, që synon të nxisë mendimin kritik, bashkëpunimin dhe kreativitetin tek studentët tanë.