• Ankesa

Leksion i hapur me Dr. Floridona Tetaj në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Departamenti i Matematikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, zhvilloi një leksion të hapur me studentët e programit Master i Shkencave në Mësuesi në Matematikë dhe Informatikë, i organizuar në format hibrid dhe sinkron.

Leksioni u mbajt nga Dr. Floridona Tetaj, ish-studente ekselente e programit Bachelor në Matematikë në Universitetin e Shkodrës, aktualisht e angazhuar në veprimtari akademike dhe kërkimore në Norvegji, në fushën e didaktikës së matematikës dhe modelimit matematikor në kontekste ndërdisiplinore.

Në fokus të leksionit ishte roli i modelimit matematikor dhe i diskursit matematikor në kontekste ndërdisiplinore, duke trajtuar mënyrat se si konceptet dhe arsyetimi matematikor përdoren në fusha të ndryshme shkencore. Diskutimi u përqendrua edhe në qasjet didaktike që ndihmojnë studentët të kuptojnë matematikën si një gjuhë analitike në disiplinat e tjera dhe në zhvillimin e kompetencave për interpretimin dhe ndërtimin e modeleve matematikore.

Aktiviteti u zhvillua njëkohësisht online dhe në auditor, ku një pjesë e studentëve e ndoqën në distancë, ndërsa të tjerët në klasë, duke shfrytëzuar ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të pajisura së fundmi me smart board, në mbështetje të metodave bashkëkohore të mësimdhënies.

Ky aktivitet përbën një shembull të modeleve moderne të mësimdhënies dhe ndërveprimit akademik, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash dhe për pasurimin e formimit profesional të studentëve të programit master në mësuesinë e matematikës dhe informatikës.