Më datë 18 tetor 2024 u zhvillua Konferenca shkencore me temë: “Leksikografia shpjeguese shqipe e viteve ‘30 - ‘40 të shek. XX”, organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Departamenti i Gjuhësisë e Qendra e Studimeve Albanologjike pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ky aktivitet i përbashkët erdhi në vazhdën e shumë bashkëpunimeve të tjera shkencore ndërmjet këtyre institucioneve.
Konferenca u përshëndet nga prof. dr. Blerta Dragusha, zëvendësrektore e Universitetit të Shkodrës, dhe akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në fjalët e tyre, u evidentuan disa nga sfidat dhe arritjet e leksikografisë shpjeguese shqipe gjatë viteve ‘30 - ‘40 të shek. XX, si dhe u vu në dukje fakti që dijetarë të trevës së Veriut luajtën një rol kyç në zhvillimet leksikografike të gjuhës sonë, duke i cilësuar ata si prijatarë.
Kumtesat e mbajtura në këtë tubim shkencor analizuan punën e asaj periudhe dhe vlerësuan trashëgiminë e saj në kontekstin e sotëm, duke u ndalur në prurjet leksikografike të N. Gazullit, P. Tases, L. Nosit, A. Sirdanit; në botime të lëndës leksikore nga dijetarë të tjerë, si: M. Kruja, K. Gurakuqi e A. Xhuvani; si dhe në probleme teorike të parashtruara nga studiues të kohës, si: F. Konica e L. Gurakuqi - duke përgatitur kështu truallin për leksikografinë shkencore njëgjuhëshe institucionale të Pasluftës II Botërore.