Departamenti Romanistikë zhvilloi aktivitetin e parë të Projektit “Krijimi i një platforme digjitale në gjuhë të huaja për promovimin e territorit” (PLACOD), pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, financuar nga Agjencia Universitare e Frankofonisë (AUF), në partneritet me Universitetin e Malit të Zi, Fakulteti i Turizmit, dhe Aleancën Franceze në Shkodër. Seminari me temë "Qyteti, imazhi dhe marketingu", mirëpriti referuesit: Manjola Lloja Bushati, Bashkia Shkodër, Giovanna Scianatico, CISVA – Qendra Ndërkombëtare e Studimeve të Udhëtimeve të Adriatikut e Mesdheut, Melisa Paci, Art House Shkodër. Drejtuesja e projektit Prof.As.Dr. Alma Hafizi moderoi panelin e konceptuar si një trekëndësh bashkëpunimi mes qeverisjes lokale, botës akademike dhe sipërmarrjes private.
Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në fjalën e tij përshëndetëse, përgëzoi organizatorët, si dhe theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve, të cilat kanë impakt direkt në ndërkombëtarizimin dhe urat e bashkëpunimit mes universiteteve në rang rajonal dhe më gjerë.