Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" mori pjesë në Kongresin e 13-të të Aleancës së Universiteteve të Europës Qendrore e Lindore- ACEU
Rektorja e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Prof. Dr. Rajmonda Këçira dhe anëtarë të stafit të Universitetit të Shkodrës morën pjesë në Kongresin e 13-të të Aleancës së Universiteteve të Europës Qendrore e Lindore- ACEU, zhvilluar në 26 tetor në Travnik, Bosnia e Hercegovina, në mjediset e Universitetit Ndërkombëtar të Travnikut.
Përveç paraqitjes së raporteve vjetore nga ana e të gjithë universiteteve pjesëmarrëse, në takim u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimeve në thirrjet për projektet e mundshme të mbështetura nga EU, Erasmus Plus apo Capacity Building, thirrje të tjera në kuadër të bashkëpunimit për projekte të përbashkëta si dhe ndërkufitare. Përveç të tjerash u diskutua që Universiteti ynë mund të jetë organizator dhe pritës i takimit vjetor CCEDP 2024 dhe i një Konference ndërkombëtare në këtë kuadër. Rektorja e Universitetit tonë, e cila mban postin e Zëvendës/Presidentit të ACEU falenderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e bashkëpunimin, Universitetin Ndërkombëtar të Travnikut për mikpritjen, si dhe Universitetin e Novi Sadit EDUCONS për organizmin e Kongresit.
Në takimet e veçanta me përfaqësues të dy Universiteteve, atij Ndërkombëtar të Travnikut dhe EDUCONS të Novi Sadit u diskutua për krijimin e hapësirave për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe me Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Kjo do të lehtësojë bashkëpunimin dhe do të zgjerojë komunikimin jo vetëm në kuadër të projekteve por edhe shkëmbimeve të stafeve respektive për grupe të përbashkëta të punës kërkimore e shkencore.