Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u mbajt Kongresi i 14-të i ACEU. Në këtë kongres, të organizuar në mënyrë hibride, morën pjesë përfaqësues nga 12 partnerët e Aleancës të cilët ndanë arritjet e vitit 2024 dhe diskutuan rreth iniciativave të përbashkëta në projekte kërkimore, shkëmbime, bashkëpunime dhe konferencën CCEDEP që do të organizohet nga kjo aleancë në vitin 2025. Përmes shkëmbimit të informacionit mbi programet kërkimore dhe arsimore, mësimdhënien, publikimeve, organizimit të programeve të përbashkëta, konferencave, seminareve, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe përpilimit dhe implementimit të projekteve të përbashkëta, aleanca universitare ACEU synon të krijojë vlera të reja dhe të kontribuojë në zhvillimin e një ekonomie inovative të bazuar në dije.