Universiteti i Shkodrës” Luigj Gurakuqi” organizoi më datën 13 Maj 2022, ”Konferencën Rajonale Universiteti-Studentët- Sfidat e tregut të punës në Rajonin e Shkodrës“.
Të pranishëm në takim ishin rektorja e Universitetit të Shkodrës prof.dr. Suzana Golemi, zv/Rektorja prof.as.dr. Paulina Guli, zv/rektorja për marrëdhëniet me jashtë prof.dr. Rajomonda Këçira, Konsulli i nderit të Austrisë z. Gjergj Leqejza, Konsulli i Nderit i Italisë Dr. Roland Dodani, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale z. Hasan Muça, drejtore e Zyrës Vendore Arsimore Shkodër zj. Sindis Kopliku, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Punësimit Shkodrër, zj. Rozafa Zmijani, drejtor i zyrës së Planifikimit Strategjik Bashkia Shkodër, z. Ridvan Sokoli si dhe përfaqësues nga bizneset e sektori bankar, pedagogë e studentë të Universitetit „Luigj Gurakuqi“. Konferenca u moderua nga dr. Aurora Dibra. Ajo u fokusua tek politikat dhe programet e nxitjes së punësimit në rajon, në kërkesat e reja të biznesit në përputhje me sfidat e ekonomisë si dhe në programet që Universiteti i Shkodrës ofron në përputhje me kërkesat e reja të tregut të punës.
Rektorja e Universiteit të Shkodrës prof.dr. Suzana Golemi theksoi se kjo konferencë do të vlejë në të ardhmen si një impakt në përgatitjen e specialistëve të denjë për një treg pune drejt orientimit të standarteve perëndimore. Përkushtimi si institucion, këmbëngulja për të reflektuar cdo rekomandim të BE si dhe të qeverisë shqiptare për ndërkombëtarizimin e Universiteteve tona dhe përmbushjen e Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm 2030, do të vazhdojnë të kenë në fokus arsimin cilësor, gjithëpërfshirës si dhe kërkimin shkencor bashkëkohor, shumëplanësh dhe që ecën me ritmin e zhvillimit të shkencës dhe të teknologjisë sot. Rekomandimet e kësaj Konference do ti kemi si këshilla të vlefshme dhe detyrim për t’i përfshirë në platformat tona të politikave të formimit të studentëve si dhe do t’i bëjmë pjesë të analizave të konsoliduara në shërbim të planeve afatgjata të zhvillimit si institucion.
Konferenca vijoi me referimet e diskutimet e të pranishme sipas agjendës duke ngjallur shumë interes tek pjesëmarrësit.